Google ADS

Dy vjet denim me kusht për ish kreun e CIA, keqpërdori dokumentet sekrete

14:54 | 8 Mars 2015
Arbresh.info

Ish-drejtori i CIA-s, gjenerali në pension David Petraeus, ka arritur një marrëveshje me Departamentin amerikan të Drejtësisë në lidhje me keqpërdorimin e materialeve sekrete qeveritare. 

Sipas marrëveshjes, zoti Petraeus ra dakord të pranonte fajësinë për tërheqje të paautorizuar të materialeve sekrete pasi ia kishte treguar ato biografes dhe të dashurës së tij, Paula Broadwell, një ish-rezerviste në ushtrinë amerikane.

Marrëveshja i jep fund një periudhe pasigurish për Petraeus, që dha dorëheqjen si drejtor i CIA-s në nëntor 2012, pasi dolën në pah detajet e lidhjes së tij jashtëmartesore me zonjën Broadwell.

“Jam i kënaqur që u arrit një marrëveshje. Është e rëndësishme që gjithkush të përgjigjet para ligjit, pavarësisht se cilët janë dhe hierarkisë që kanë në  strukturat e sigurisë kombëtare në Shtetet e Bashkuara”. tha Michael Rubin, studiues në Institutin American Enterprise.

Petraeus u bë një nga figurat më të njohura ushtarake në vend, pas shërbimit në Irak ku udhëhoqi rritjen e forcave amerikane në 2006, që zmbrapsi përparimin e ekstremistëve të al-Kaidës që kishin marrë nën kontroll disa qytete dhe rajone kryesore.

Strategjia kundër terrorizmit e iniciuar nga Petraeus ndihmoi në stabilizimin e Irakut dhe përgatiti terrenin për tërheqjen e forcave amerikane disa vjet më pas. Gjenerali Petraeus udhëhoqi më pas forcat amerikane në Afganistan.

Pas suksesit në Irak, Petraeus u bë një figurë e famshme, veçanërisht në Uashington.  Disa republikanë diskutuan hapur mundësinë e kandidaturës së tij për President. Presidenti Obama e emëroi atë drejtor të CIA-s në shtator 2011.

Zoti Rubin thotë se gjeneral Petraeus dhe fundi i karrierës së tij, janë një sinjal për të gjithë ata që aspirojnë një karrierë si figura publike.

Por Rubin thotë gjithashtu se Petraeus do të mbahet mend edhe për rolin e tij në udhëheqjen e shtimit të trupave në Irak dhe për një karrierë ushtarake që shumë vetë e konsiderojnë të shkëlqyer.

Marrëveshja parashikon maksimumin prej një viti burg. Prokurorët e çështjes kanë sugjeruar dy vjet dënim me kusht pa burg, por do të jetë një gjykatës federal që do të vendosë për fatin  e zotit Petraeus.

Shpërndaje në rrjete sociale