Të paktën 23 persona kanë vdekur, dhjetëra janë të zhdukur dhe më shumë se 400 të tjerë janë detyruar të evakuohen nga shtëpitë e tyre për shkak të shirave të rrëmbyeshëm në Brazilin juglindor, sipas shërbimeve të shpëtimit dhe autoriteteve lokale.
”Gjashtëmbëdhjetë persona vdiqën dhe 43 janë të zhdukur në komunën Juiz de Fora, dhe shtatë vdiqën dhe katër janë të zhdukur në Uba, pas reshjeve që shkaktuan daljen e një lumi, duke rezultuar në përmbytje dhe rrëshqitje toke”, sipas një raporti zyrtar nga autoritetet lokale.
”Zjarrfikësit në shtetin juglindor të Minas Gerais po kërkojnë dhjetëra njerëz”, tha një zëdhënës.
Kryetarja e bashkisë së Juiz de Fora, Margarida Salomao, shpalli gjendje të jashtëzakonshme në përgjigje të “situatës jashtëzakonisht serioze” të shkaktuar nga reshjet “intensive dhe të vazhdueshme”.
Ky është shkurti më i lagësht në historinë e qytetit, shtëpi e rreth 540 000 njerëzve, sipas të dhënave zyrtare.
584 milimetra shi ranë, dyfishi i sasisë së pritur për të gjithë muajin.
“Disa lagje janë të izoluara dhe situata është ekstreme”, tha Salomao, duke shtuar se shirat kishin shkaktuar të paktën 20 rrëshqitje toke.
“Mbrojtja Civile vlerëson se 440 persona të prekur nga katastrofa po marrin mbështetje nga qyteti për pritjen dhe akomodimin e tyre të përkohshëm”, shtuan autoritetet në X.
”Zjarrfikësit po luftojnë me përmbytjet, rrëshqitjet e tokës dhe rreziqet strukturore në brigjet dhe në zonat pranë lumit Paraibuna, i cili ka dalë nga shtrati”, deklaroi togeri Henrique Barcellos i Departamentit të Zjarrfikësve të Minas Gerais.
Autoritetet kanë pezulluar mësimet në të gjitha shkollat komunale. Disa banorë filmuan ndërtesa që shembeshin brenda sekondash. Imazhet e postuara në mediat sociale tregojnë punonjësit e shpëtimit duke përdorur ekskavatorë në zona të varrosura nën tokë dhe shtëpi të shkatërruara plotësisht.
Zjarrfikësit po përdorin pajisje të specializuara për të evakuuar njerëzit që janë gati të mbyten.
Imazhet tregojnë gjithashtu rrugë dhe bulevarde të përmbytura si dhe rrëke uji dhe balte.
Presidenti Luiz Inacio Lula da Silva njoftoi se e kishte vënë sistemin e Mbrojtjes Civile në gatishmëri të lartë.
“Prioriteti ynë është të garantojmë ndihmën humanitare, rivendosjen e shërbimeve bazë, ndihmën për personat e zhvendosur dhe mbështetjen për rindërtim”, shkroi ai në X.
Brazili ka përjetuar fatkeqësi të ndryshme vitet e fundit të lidhura me ngjarje ekstreme të motit si përmbytje, thatësira dhe valë të forta të nxehtësisë.
Hill: Shkova në Hagë për të dëshmuar – Thaçi nuk është i për...
Sërish Kod i Kuq për shkak të rrezikut të lartë të përmbytje...
Bodo/Glimt trondit Inter, kualifikohen edhe Newcastle e Leve...
Kusari-Lila me fjalë të mëdha për Osmanin: E ka mbajtur lart...
Netanyahu paralajmëron Iranin: Nëse sulmon, do të përgjigjem...
Rritet çmimi i arit dhe naftës