Arabia Saudite do të jetë nikoqire e një takimi sy më sy, në mes të palëve që janë përfshirë në luftimet në Sudan.
Ky takim është planifikuar të realizohet, pas dështimit të disa armëpushimeve.
Në një deklaratë të përbashkët, të lëshuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite, është mirëpritur “faza paranegociuese” në Xhedah, në mes të ushtrisë sudaneze dhe grupit paraushtarak, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF).
Të premten, është raportuar se luftimet kanë vazhduar.
Ushtria sudaneze ka thënë se në bisedime do të shqyrtohen çështjet humanitare, derisa grupi RSF, nuk ka bërë ndonjë koment publik.Si pasojë e luftimeve të ashpra, që janë duke vazhduar që tri javë, janë vrarë qindra persona dhe janë zhvendosur më shumë se 450.000 civilë.
Ata janë nisur kryesisht nëpër vendet fqinje.
Komandanti i ushtrisë së Sudanit, gjenerali, Abdel Fattah al-Burhan – presidenti de facto i Sudanit – është në luftë për pushtet me liderin e RSF-së, gjeneralin, Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur edhe si Hemedti.
Në deklaratën e Qeverive të SHBA-së dhe Arabisë Saudite, është bërë thirrje që “të dyja palët të kenë në konsideratë interesat e kombit sudanez dhe popullit të tij, dhe të angazhon në bisedime drejt një armëpushimi”.
Intensiteti i luftimeve ka penguar edhe dërgimin e ndihmave në këtë shtet.
Deri më tani, gjenerali Burhan dhe Hemedti, i cili e ka udhëhequr një milici arabe në konfliktin në Darfur, kanë treguar pak gatishmëri për të arritur marrëveshje për paqe./REL/
Shpërthimi në barin e njohur në Zvicër: Mbi 100 persona të p...
U ndërpre dje në orën 12:00, pasdite vazhdon numërimi i vota...
Qiproja merr presidencën e radhës të BE-së
35 të lënduar nga mjetet piroteknike kërkuan ndihmë në Emerg...
Viti i ri në Kosovë nis me mot të ftohtë, pa borë
Hera e parë në histori të Mew Yorkut – kryetari i ri d...