Çfarë pritet të ndodhë në takimet e liderëve evropianë në Pragë?

07:53 | 3 Tetor 2022
Vjollca Gajraku

Praga do të jetë qendra e politikës evropiane këtë javë, pasi shumica e liderëve të kontinentit do të mblidhen për dy takime më 6 dhe 7 tetor për të diskutuar për luftën në Ukrainë dhe për implikimet e saj në fusha të ndryshme të politikave.

Çfarë po ndodh?

Liderët e të gjitha shteteve evropiane, përveç Bjellorusisë dhe Rusisë (po ashtu edhe shteteve të vogla evropiane) do të takohen në Kështjellën e Pragës më 6 tetor për të diskutuar për çështjet që lidhen me situatën e sigurisë në kontinent, teksa lufta në Ukrainë po vazhdon. Ky takim po ashtu është për të lansuar Bashkësinë Politike Evropiane – një ide që fillimisht është promovuar në muajin maj nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Një ditë më pas, më 7 tetor, kryeqyteti çek do të jetë nikoqir i një samiti joformal të BE-së që po ashtu do të mbahet në Kështjellën e Pragës. Liderët nga 27 shtetet anëtare do të bisedojnë për sanksionet e Rusisë, për krizën energjetike, teksa kontinenti pritet të përballet me një dimër të vështirë.

Kush do të jetë pjesëmarrës i takimeve të Pragës?

Ftesat u janë dërguar liderëve të 44 shteteve evropiane, dhe sipas diplomatëve të BE-së, ka pasur “përgjigje pozitive nga të gjithë, por disa nuk kanë kthyer ende përgjigje përfundimtare”.

Merret vesh se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ende po heziton, sikurse homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdogan.

Kryeministrja e re e Britanisë, Liz Truss, ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë, teksa raportohet se ajo po heziton të jetë pjesë e diçkaje që ka shumë “gjurmë gishtërinjsh” të BE-së në të. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do t’i adresohet të pranishmëve përmes video-lidhjes për shkak të situatës së sigurisë në shtetin e tij dhe në vend të tij, në Çeki do të udhëtojë kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal.

Këshilltarët e 44 liderëve janë takuar në Bruksel më 29 shtator. Prandaj, prospekti që liderët do të marrin pjesë është pozitiv, marrë parasysh edhe faktin që ministrat e Jashtëm nuk lejohet që të paraqiten së zëvendësues të liderëve të shteteve në këto takime. Afati i fundit për të konfirmuar pjesëmarrjen është po ashtu gjeneroz: kur të nisë takimi në orën 13:00 të 6 tetorit…

Çfarë saktësisht është Bashkësia Politike Evropiane?

Ndoshta më mirë është të fillohet me atë se çfarë nuk është. Kjo bashkësi nuk zëvendëson organizatat ekzistuese politike, strukturat apo proceset dhe nuk ka për qëllim të krijojë një të re – të paktën në këtë fazë. Diplomatët e BE-së vazhdimisht theksojnë se BE-ja është vetëm “lehtësuese” dhe ky nuk është “proces që udhëhiqet nga BE-ja” ose ndonjë lloj i “BE++”, që kandidatët për anëtarësim në bllok apo shtetet e mundshme kandidate në Ballkanin Perëndimor dhe në fqinjësinë lindore duhet të frikësohen se do të zëvendësojë procesin e zgjerimit të bllokut evropian./rel/

 

Shpërndaje në rrjete sociale