Bukuroshja sllovene, zonja e parë e Shteteve të Bashkuara?

08:07 | 21 Prill 2016
M. A.

Popullariteti i gruas nga Sevnica, qytetit të Sllovenisë pranë Krshko-s, ka shkaktuar një stuhi në atë zonë. Ekipet televizive filmuan ndërtesën nga betoni të ndërtuar në vitet ‘60 në të cilën u rritën Melania Knavs (Knauss) dhe motra e saj më e vjetër Ines. Në kalanë “Qyteti Sevnica”, kryetari i qytetit, Srecko Ocvirk, nuk e fsheh kënaqësinë: “Ne jemi pak mënjanë nga rrugët kryesore. Por, tani vijnë më shumë njerëz këtu, Melania është shndërruar në një model për vajzat e reja. Ajo dëshmon se çfarë mund të arrihet…”.

Edhe prindërit e Melania Trump, ndërkohë, jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thotë kryetari i komunës. Por ata vijnë rregullisht gjatë pushimeve vjetore dhe ende janë të lidhur ngushtë me njerëzit në Sevnica. Poshtë në qendër të qytetit, në afërsi të lumit Sava, të gjithë e njohin se kush është Melania. “Natyrisht ne të gjithë jemi krenarë, unë mendoj se ajo është një shembull i mirë për Sevnica-n dhe Slloveninë”, theksoi manekinia Mojca Jevsevar. Një shofer kamioni, Boris Stamulak, thekson: “Do të ishte një plus i madh për vendin tonë nëse ajo do të bëhej zonja e parë e SHBA-ve, pasi kështu Sllovenia do të prezantohej më mirë në hartën e botës”.

Babai i saj ishte komunist?

Sllovenia është kapluar nga ethet për shkak të Melania-s. Kohët e fundit në vend janë shfaqur edhe libra në lidhje me të. Ish-deputeti, Igor Omerza, dhe gazetari slloven, Bojan Pozar, e pasqyruan biografinë e Melania Trump-it. Sipas hulumtimit të tyre, ka spekulime të sakta se babai i saj Viktor-i ishte anëtar i Partisë Komuniste. Kjo është një temë e ndjeshme për republikanët në SHBA, por sigurisht jo një e metë për Melania-n. “Viktor Knavs ishte një komunist aktiv, hyri në Parti, për shkak se ashtu mund të shkonte përpara”, tha Omerza dhe shton: “Melanie dhe motra e saj u rritën në kushte të sigurta. Prindërit janë kujdesur shumë për vajzat e tyre”.

Kujtimet e mikut të saj të rinisë

Sllovenia ka rreth dy milionë banorë. Prandaj, tani në publik paraqiten të gjithë ata që pretendojnë se e njohin shumë mirë Melania Knavs-in. Për shembull, eksperti 47-vjeçar i reklamave, Peter Butoln. Ai thotë se ishte i dashuri i saj i parë. Ata u takuan gjoja në Lubjanë dhe, përveç tjerash, janë shëtitur me Vespa. Tani ai ka për qëllim të shesë motoçikletën Vespa në ankand.

“Ajo ishte një vajzë e qetë dhe e sinqertë”, thotë Butoln. Tregon kartolinën me nënshkrimin e Melania-s, të cilën gjoja ia ka dërguar ajo si 16-vjeçare, ndërsa ishte në Adriatik në pushime me prindërit e tij. Kur sot i sheh fotot e saj në internet ky slloven elegant psherëtin me admirim. Ata humbën kontaktin kur ai duhej të shkonte në ushtri, thotë Butoln, i cili tashmë është i martuar dhe ka fëmijë.

Shumë herët është vërejtur potenciali i saj

“Ajo kishte këmbët e gjata dhe ishte një bionde e bukur”, flet me admirim 79-vjeçari Stane Jerko, një pionier i fotografisë së modës në ish-Jugosllavi. Ai në atë kohë e zbuloi Melania-n 17-vjeçare, kur në Lubjanë zgjodhi modele të reja. “Pas fotografive të para në studio në vitin 1987 ajo u përqendrua në shkollë dhe nuk kishte kohë të merrej me aktivitete tjera”, thotë Jerko. Por fotografitë e tij i kanë mundësuar asaj kontaktin me agjencitë e modës. Sllovenja e re kështu ka filluar punën në Milano dhe Paris.

Ajo nuk kishte arritur të bëhej top modele ndoshta për shkak se ishte e tërhequr dhe rrallë shkonte në ahengje, thotë Stane Jerko. “Melania kujdesej për shëndetin dhe trupin e saj. Kur më pas në vitin 1990 shkoi në Shtetet e Bashkuara ruajti disiplinën në punë. Ajo ishte ftuar nga një mikeshë e saj modele në një shfaqje të modës, ku u takua me Donald Trump-in. Mendoj se si një zonjë e parë ajo do të bëhej një ikonë e modës”, thotë Jerko.

Sot Melania Trump gëzon komoditetin dhe luksin pranë burrit të saj. Ata jetojnë në New York në një apartament luksoz në katin e lartë të “Trump Tower”, së bashku me djalin e tyre Barron. Edhe pse Melania, e cila së shpejti do të bëhet 46-vjeçare, thotë se është një nënë e lumtur që punon me orar të plotë, gjithnjë gjen kohë për koleksionin e saj të bizhuterive dhe kozmetikës.

Në Slloveni tani është një gjë e rrallë, por më herët sllovenët migronin në Shtetet e Bashkuara. “Kur në vitin 2006 kam prezantuar vendin tim në ‘Miss Universe’ takova Malania-n dhe Donald-in në Los Angeles”, kujton Natasha Pinoza. “Shiko, është dikush nga vendi juaj, nga Sevnica”, kishte thënë Donald Trump dhe Melania menjëherë kontaktoi në gjuhën sllovene. Kjo për Natasha Pinoza-n është një kujtim i bukur.

Nëse Melania Trump bëhet zonja e parë e Shteteve të Bashkuara, shumë prej bashkatdhetarëve të saj do t’i bënte krenarë, sidomos ata në vendlindjen e saj Sevnica.

Shpërndaje në rrjete sociale