Britania, Gjermania dhe Franca dënojnë vrasjen e protestuesve iranianë

23:15 | 9 Janar 2026
Q L

Udhëheqësit e Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Francës kanë dënuar vrasjen e protestuesve në Iran dhe i kanë kërkuar Teheranit të ushtrojë vetëpërmbajtje mes shtypjes së demonstratave kundër regjimit.

Të paktën 62 persona raportohet të jenë vrarë dhe 2 300 të tjerë janë arrestuar gjatë javëve të protestave të nxitura fillimisht nga ekonomia e dobët të vendit.

Udhëheqësit e Iranit kanë mbyllur gjithashtu aksesin në internet dhe thirrjet telefonike ndërkombëtare në përgjigje të protestave.

Në një deklaratë të përbashkët, kryeministri britanik Keir Starmer, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron thanë se ishin thellësisht të shqetësuar për raportet e dhunës nga forcat iraniane të sigurisë dhe dënuan fuqimisht vrasjen e protestuesve.

“Autoritetet iraniane kanë përgjegjësinë për të mbrojtur popullsinë e tyre dhe duhet të lejojnë lirinë e shprehjes dhe protestat paqësore pa frikën e hakmarrjes”, thanë udhëheqësit.

“Ne i nxisim autoritetet iraniane të ushtrojnë vetëpërmbajtje nga dhuna dhe të mbështesin të drejtat themelore të qytetarëve të Iranit”, sipas deklaratës.

Protestat në Iran filluan më 28 dhjetor dhe janë shndërruar në sfidën më të rëndësishme ndaj regjimit për disa vite.

Demonstratat kanë ripërtërirë gjithashtu konfrontimin midis Iranit dhe SHBA-së, ndersa presidenti amerikan, Donald Trump ka paralajmëruar se Teherani do ta paguante shtrenjtë nëse autoritetet vrisnin protestuesit./atsh

Shpërndaje në rrjete sociale