Britania, Franca dhe Gjermania kërcënojnë Iranin me rikthim sanksionesh

Waving Iran flag above skyline of Tehran at sunset.

23:30 | 13 Gusht 2025
E.G

Diplomatët e lartë të Britanisë, Francës dhe Gjermanisë kanë kërcënuar të rivendosin sanksionet ndaj Iranit, ndërsa po afron fundi i muajit – afati që i është lënë vendit për të rifilluar negociatat me Perëndimin mbi programin e tij bërthamor dhe bashkëpunimin me Agjencinë Bërthamore të Kombeve të Bashkuara.

Tre vendet, të njohura si E3, kanë shkruar një letër drejtuar Kombeve të Bashkuara, të ditës së premte, ku shprehen të gatshme të nisin një proces të njohur si mekanizmi “snapback” – i cili u lejon palëve perëndimore të rivendosin sanksionet e OKB-së, nëse Teherani nuk përmbush detyrimet e tij.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Nöel Barrot, e publikoi letrën të mërkurën në ‘X’. Ai e kishte bashkënënshkruar atë së bashku me diplomatët e lartë të Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

“E3 gjithmonë janë zotuar të përdorin të gjitha mjetet diplomatike që kanë në dispozicion për të siguruar që Irani të mos zhvillojë një armë bërthamore,” thuhet në letër. “Ne kemi bërë të qartë se nëse Irani nuk është i gatshëm të arrijë një zgjidhje diplomatike para fundit të gushtit 2025, ose nuk e shfrytëzon mundësinë e një zgjatjeje, E3 janë të gatshme të nisin mekanizmin snapback.”

Qeveria iraniane nuk iu përgjigj menjëherë këtij zhvillimi, por deputeti Manouchehr Mottaki- i cili ka qenë ministër i Jashtëm i Iranit për pesë vjet në vitet 2000- paralajmëroi për një reagim të shpejtë ndaj çdo veprimi për të nisur mekanizmin ‘snapback’. Ai tha se parlamenti iranian e ka “gishtin në këmbëz” për të dalë nga ‘Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore’ (NPT), traktati ndërkombëtar që synon ndalimin e përhapjes së armëve bërthamore. “Na duhen vetëm 24 orë për të miratuar daljen nga marrëveshja bërthamore,” tha Mottaki, nëse E3 e ngre këtë çështje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Letra e E3 vjen pas një periudhe të dukshme bllokimi diplomatik, pas një lufte 12-ditore midis Iranit dhe Izraelit në qershor, kur avionë izraelitë dhe amerikanë goditën disa objekte kyçe të lidhura me programin bërthamor në Republikën Islamike.

Shpërndaje në rrjete sociale