Pas njoftimit të prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) që synon lëshimin e fletarrestimeve ndaj kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, dhe liderëve të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – ka pasur reagime të ndryshme nga politikanë nga e mbarë bota.
Si Izraeli, ashtu edhe Hamasi, e kanë “dënuar” këtë njoftim të prokurorit Karim Khan. Prokurori tha se beson se Netanyahu, ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, dhe tre liderë të Hamasit – Yehia Sinwar, Mohammed Deif dhe Ismail Haniyeh – janë përgjegjës për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës dhe në Izrael, së paku nga 7 tetori 2023.
Senatori amerikan nga Partia Republikane, Jim Risch, tha se nuk ka arsye për hetimin e zyrtarëve izraelitë.
“Nuk ka arsye që gjykata të hetojë Izraelin, pasi nuk është pjesë e Statutit të Romës dhe Izraeli ka një gjyqësor krejtësisht funksional”, tha Eisch, që është pjesë e Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit amerikan.
Edhe Mbretëria e Bashkuar u shpreh kundër një kërkese të tillë të Khanit.
“Ky veprim nuk ndihmon sa i përket arritjes së një pauze në luftime, lirimin e pengjeve apo dërgimin e ndihmës” në Gazë, tha një zëdhënës i kryeministrit britanik, Rishi Sunak.
Ndërkaq, kundër lëshimit të fletarrestimeve është shprehur edhe kryeministri i Çekisë, Petr Fiala.
“Propozimi i kryeprokurorit të GJNP-së që të lëshojë fletarrestime për përfaqësuesit e një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe liderët e një organizate terroriste islamike është krejtësisht i papranueshëm”, tha ai.
Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, tha se respekton plotësisht pavarësinë e GJNP-së.
“Megjithatë, fakti që lideri i organizatës terroriste Hamas, i cili ka deklaruar se qëllimi i grupit është të shfarosë shtetin e Izraelit, përmendet në të njëjtën fjali me përfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë demokratike të po këtij shteti është e pakuptueshme”, tha ai.
Reagim për këtë zhvillim ka pasur edhe nga organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch.
Kjo organizatë tha se viktimat e shkeljeve serioze në Izrael dhe në territoret palestineze nuk kanë pasur drejtësi për dekada.
“Ky veprim i prokurorit hap derën që ata që janë përgjegjës për mizoritë e kryera muajve të fundit të përballen për veprimet e tyre në një gjykim të drejtë”, tha HRW, duke shtuar se shtetet anëtare të GJNP-së duhet të respektojnë pavarësinë e gjykatës.
Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.
Lufta izraelite i ka vrarë më shumë se 35.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve të Hamasit.
Por, lufta izraelite ka shkaktuar edhe krizë humanitare në Gazë, duke bërë që rreth 80 për qind e popullsisë të zhvendoset dhe qindra mijëra njerëz të vuajnë nga uria, sipas zyrtarëve të OKB-së./REL/
Kapet në Laç i shumëkërkuari me katër identitete, i akuzuar ...
Cakolli: VV-ja dikur na ftonte në lista zgjedhore, sot na su...
Rusia pretendon se ka bërë përparime në Donjeck
Ndërpritet furnizimi me ujë të pijes në veri të vendit
Murati ia kthen Tahirit: Pensionet për kategoritë e luftës n...
I nxehti ekstrem mori jetën e mbi 1300 personave në Portugal...