Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian tha të dielën se është thellësisht i shqetësuar për tensionet në Bosnje dhe u ka bërë thirrje udhëheqësve që të shmangin shpërbërjen e atij vendi.
“Situata në Bosnje është më shqetësuese se kurrë,” tha Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme, në konferencën vjetore të sigurisë në Mynih.
Muajin e kaluar, administrata e presidentit Biden njoftoi për sanksione të reja kundër udhëheqësit serb të Bosnjës Milorad Dodik, i cili prej vitesh ka bërë thirrje që pjesa e Bosnjës e drejtuar nga serbët të shkëputet nga pjesa tjetër e vendit dhe të bashkohet me Serbinë.
SHBA e akuzoi atë për “aktivitete korrupsioni” që kërcënojnë të destabilizojnë rajonin dhe minojnë marrëveshjet e Dejtonit.
“Mund t’ju siguroj se, në kontakt të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, unë dhe Sekretari i Shtetit (Anthony) Blinken kemi dërguar një paralajmërim shumë serioz. Ne nuk do të pranojmë shpërbërjen e Bosnje- Hercegovinës,” tha zoti Borrell.
Ai tha se kishte qenë në kontakt me zotin Dodik për t’i kujtuar “detyrimin e tij për të marrë pjesë në institucionet e përbashkëta” të vendit.
Marrëveshja e Paqes e Dejtonit i dha fund luftës në Bosnje, e cila shkaktoi vdekjen e mbi 100,000 vetëve dhe la miliona të pastrehë në masakrën më të rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Marrëveshja krijoi dy njësi të veçanta qeverisëse në Bosnje – njëra e drejtuar nga serbët e Bosnjës dhe tjetra e mbizotëruar nga boshnjakët
Zoti Dodik thotë se ai dhe serbët e Bosnjës po vihen padrejtësisht në shënjestër nga Shtetet e Bashkuara dhe pa të drejtë për korrupsion./VOA
Gjashtë ndryshime të Kampionatit Botëror të vitit 2026
Mbi 1,000 makina të djegura në natën e Vitit të Ri, të paktë...
Nga sot nis numërimi i votave me postë
Sot mbahet Akademi Përkujtimore për Nexhat Dacin në Kuvendin...
Moti sot në Shqipëri me vranësira të dendura dhe shira në të...
Europa solidarizohet me Zvicrën pas tragjedisë, Von der Leye...