Bordi i Paqes dorëzon propozimin për çarmatosjen e Hamasit

14:10 | 21 Mars 2026
E.K

Bordi i Paqes i Donald Trumpit ka dorëzuar një propozim me shkrim për Hamasin, duke sugjeruar mënyrën se si grupi militant mund të dorëzojë armët, një hap që palestinezët deri më tani kanë refuzuar të ndërmarrin. Ky veprim bëhet ndërsa presidenti amerikan vazhdon planin e tij për të ardhmen e Gazës, raporton Reuters.

Propozimi iu dorëzua Hamasit gjatë takimeve në Kajro gjatë javës së kaluar, ku morën pjesë Nickolay Mladenov, i dërguari i Bordit të Paqes të emëruar nga Trump në Gazë, dhe Aryeh Lightstone, ndihmës i të dërguarit special të Trumpit, Steve Witkoff.

Plani i Trumpit për Gazën, i dakordësuar nga Izraeli dhe Hamasi në tetor, parashikon tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza, fillimin e rindërtimit, si dhe çarmatosjen e Hamasit.

Mladenov ka deklaruar të enjten se po bëhen përpjekje serioze për të sjellë lehtësim në Gazën e shkatërruar nga lufta, duke përdorur një kornizë të dakorduar nga ndërmjetësit, që mund të çojë përpara rindërtimin në enklavë, pjesa më e madhe e së cilës është në rrënoja.

Përfaqësuesit e Hamasit nuk janë deklaruar ende për raportin, ndërsa bisedimet mbi çarmatosjen e grupit janë pezulluar që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael kundër Iranit.