Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u tha dy zyrtarëve të lartë izraelitë se numri i viktimave civile në Gazë është “në mënyrë të papranueshme i lartë”.
Ushtria izraelite kreu disa sulme vdekjeprurëse në ditët e fundit, duke përfshirë një në një kamp refugjatësh.
Në përgjigje, Hamasi – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera, i cili kontrollon Gazën – tha se është tërhequr nga negociatat për armëpushim.
Blinken priti të hënën në Uashington dy zyrtarë izraelitë me ndikim – ministrin e Çështjeve Strategjike, Ron Dermer, dhe këshilltarin për Siguri Kombëtare, Tzachi Hanegbi – “për të shprehur shqetësimin tonë serioz në lidhje me viktimat e fundit civile në Gazë”, tha zëdhënësi i tij, Matthew Miller.
“Numri i viktimave civile mbetet në mënyrë të papranueshme i lartë. Ne vazhdojmë të shohim shumë civilë të vrarë në këtë konflikt”, u tha Miller gazetarëve.
Të shtunën, sulmet izraelite vranë më shumë se 90 njerëz në kampin Al-Mavasi në Gazë, tha Ministria e Shëndetësisë në këtë enklavë.
Lufta shpërtheu pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë peng qindra të tjerë.
Në përgjigje, Izraeli nisi një fushatë intensive sulmesh në Gazën e kontrolluar nga Hamasi, e cila vazhdon ende.
Sipas autoriteteve atje, mbi 38.000 njerëz u vranë prej se nisi lufta.
Bisedimet e zyrtarëve izraelitë me Blinkenin u përqëndruan edhe tek armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit, ndihma humanitare në Gazë dhe planet e pasluftës, tha Miller.
Vizita e tyre u realizua disa ditë përpara se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të mbajë një fjalim në Kongresin amerikan, më 24 korrik./rel
Çarmatosi të dyshuarin – mblidhen më shumë se 900 mijë dolla...
Xavi afër rikthimit si trajner, gjiganti anglez shpreh inter...
Dolce thotë se ka qenë në njohje me Edin, por jo në lidhje
Pas tensioneve, lojtarët madrilen i dalin në krah trajnerit ...
Masakra në Sydney, Trump: Ahmed al Ahmed shumë i guximshëm, ...
Dhjetëra të vdekur nga përmbytjet e menjëhershme në Marok