Bjellorusia ka liruar 14 të burgosur, përfshirë Syarhey Tsikhanouskin, i cili u arrestua në maj të vitit 2020 gjatë përpjekjes për të kandiduar për president kundër udhëheqësit autoritar, Alyaksandr Lukashenka.
Bashkëshortja e tij, Svyatlana Tsikhanouskaya – e cila garoi në zgjedhjet e 2020 në vend të burrit të saj – konfirmoi lirimin e Tsikhanouskit.
“Burri im, Syarhey, është i lirë! E kam të vështirë ta përshkruaj gëzimin që kam në zemër”, shkroi ajo në X, duke ia bashkëngjitur postimit një video që shfaq të dy duke u përqafuar.
John Coale, zëvendës i emrisarit amerikan Keith Kellogg, tha në një postim në X më 21 qershor se lirimi i 14 të burgosurve u realizua në bashkëpunim me Qeverinë e Lituanisë.
Ihar Karney, ish-gazetar i Shërbimit Bjellorus të Radios Evropa e Lirë, që në Bjellorusi njihet si Radio Svaboda, u lirua gjithashtu. Ai ishte arrestuar në vitin 2023 dhe më pas u dënua me tre vjet burgim nën akuza për “ekstremizëm”, të cilat ai i mohon.
Tsikhanouski kishte tentuar që të kandidonte kundër Lukashenkas në zgjedhjet presidenciale të mbajtura në gusht të vitit 2020, por ishte arrestuar para votimeve. Më pas, gruaja e tij garoi si kandidate e opozitës në ato zgjedhje.
Lukashenka u shpall fitues i zgjedhjeve, gjë që nxiti protesta të dhjetëra mijëra bjellorusëve të cilët thanë se zgjedhjet ishin manipuluar. Protestat zgjatën me muaj, teksa bjellorusët kërkon që Lukashenka – i cili është në pushtet që nga viti 1994 – të largohej dhe vendi të mbante zgjedhje të reja.
Zgjedhjet e gushtit 2020 u refuzuan si të manipuluara nga opozita dhe Perëndimi, ndërsa vendi, nën drejtimin e Lukashenkas, nisi të shtypte protestuesit, duke arrestuar mijëra dhe duke detyruar shumicën e figurave kryesore të opozitës të largohen nga vendi.
Disa protestues janë vrarë gjatë shtypjes së protestave, dhe organizatat për të drejtat e njeriut thonë se ekzistojnë dëshmi të besueshme për përdorimin e torturës ndaj disa prej të arrestuarve.
Lukashenka mohon se votat janë manipuluar dhe ka refuzuar që të negociojë me opozitën e udhëhequr nga Svyatlana Tsikhanouskaya.
Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe vende të tjera kanë refuzuar ta njohin Lukashenkan, 68 vjeç, si udhëheqës legjitim të Bjellorusisë dhe i kanë vendosur atij dhe zyrtarëve të lartë bjellorusë sanksione si reagim ndaj “falsifikimit” të votës dhe shtypjes ndaj protestave pas mbajtjes së zgjedhjeve./rel
Kurti: Në mandatin e ardhshëm do ta dyfishojmë buxhetin për ...
Një i plagosur pas përleshjes mes disa personave në Suharekë
Fluks i lartë lëvizjesh në pikën kufitare të Morinës
Mes sulmeve të reja në Kiev, Zelenskyy do të takohet me udhë...
“Çmendet” Man Unitedi, gati ofertën 200 milionëshe për Jude ...
Zjarrfikësit japin detaje për shtëpinë që u përfshi nga zjar...