Bie pushteti 16-vjeçar i Orbanit – Gjithçka që duhet të dini për zgjedhjet historike në Hungari

07:23 | 13 Prill 2026
E.G

Lideri i partisë opozitare, Tisza, Peter Magyar, ka fituar zgjedhjet parlamentare në Hungari, ndërsa ish-kryeministri Viktor Orbán e ka uruar për fitoren në votimet e së dielës.

Orban, i cili ka udhëhequr Hungarinë për 16 vjet dhe në zgjedhjet e 12 prillit garoi për mandatin e tij të gjashtë radhazi, në një prononcim për media tha se rezultati i zgjedhjeve është i qartë dhe i dhimbshëm për partinë e tij, por u zotua se do t’i shërbejë Hungarisë edhe nga opozita.

Ndërkohë, Magyar ka falënderuar qytetarët hungarezë për besimin e dhënë, duke e cilësuar rezultatin si një moment të rëndësishëm politik për vendin.

Kush është Peter Magyar, fituesi i zgjedhjeve në Hungari?

Ai hyri në politikë vetëm dy vjet më parë, pas një krize politike që u shkaktua nga rasti i ish-bashkëshortes së tij, ish-ministre e Drejtësisë në qeverinë e Orbanit, e cila u tërhoq nga politika pas një skandali publik.

Në shkurt 2024, Magyar u distancua nga partia në pushtet, duke e akuzuar atë për korrupsion, ndërsa më pas mori drejtimin e partisë së qendrës së djathtë dhe pro-Bashkimit Evropian, Tisza.

Në zgjedhjet evropiane të qershorit 2024, partia e tij siguroi rreth 30% të votave, duke u renditur e dyta pas Fidesz-it të Orbánit.

Rezultatet paraprake

Me mbi 90% të votave të numëruara, partia Tisza e Magyarit pritet të sigurojë rreth 138 apo 139 vende në parlamentin me 199 deputetë, transmeton Kankosova.tv, ndërsa koalicioni i Orbanit (Fidesz-KDNP) pritet të fitojë rreth 55 apo 53 deputetë.

Hungaria ka një sistem të përzier zgjedhor, ku vota për parti ndan 93 ulëse në mënyrë proporcionale, ndërsa 106 mandate vijnë nga qarqet individuale dhe shpesh janë vendimtare për shumicën parlamentare.

Dalja në votime e popullsisë ka qenë 77.8%, duke shënuar një rekord të ri që nga viti 2002.

Procesi është ndjekur me vëmendje nga Bashkimi Evropian, ShBA, Ukraina dhe Rusia, ndërsa gjatë fushatës janë raportuar akuza të ndërsjella për ndërhyrje të jashtme.

Fushata dhe konteksti politik

Gjatë fushatës, Peter Magyar u bëri thirrje qytetarëve që të rimarrin atdheun, duke premtuar luftë kundër korrupsionit, forcim të lidhjeve me BE-në dhe përmirësim të shërbimeve publike.

Ndërkohë, Viktor Orban paralajmëroi për rreziqe politike dhe kërkoi ruajtjen e arritjeve të vendit, duke e bërë Ukrainën një nga temat kryesore të fushatës së tij, të cilën e cilësoi shpesh si shtet “armiqësor” ndaj Hungarisë.

Zgjedhjet e fundit në Hungari konsiderohen ndër më të rëndësishmet e dekadës në vend, me ndikim të drejtpërdrejtë në orientimin politik të Budapestit ndaj Bashkimit Evropian dhe politikës së jashtme.