50 vjet më parë qindra afrikano-amerikanë marshuan në Selma të Alabamës për të drejtën e votës.
Kur përshkuan urën Edmund Pettus, demonstruesit u sulmuan nga policia. Pamjet e dhunës revoltuan amerikanët dhe përqëndruan vëmendjen e kombit tek mohimi i së drejtës së votës për miliona afrikano-amerikanë.
50 vjet pas demonstratës, aktivisti për të drejta civile Nims Gay është kthyer në gjykatën e Birmingamit ku ai dhe afrikano-amerikanë të tjerë u morën në pyetje nga policë të bardhë, të cilët u mohonin të drejtën kushtetuese të votës.
“Mos mendoni se jeni superiorë ndaj meje. Të gjithë jemi një komb. Këto fjalë i irritonin policët. Por unë s’doja t’ia dija. Ose je me të drejtën ose je në anën e gabuar”.
Pas ngritjes së çështjes në gjykatë, afrikano-amerikanët u lejuan të votojnë. Ai thotë se beteja ishte e vështirë, por e merituar.
“Njerëzit pa votë janë njerëz pa shpresë. Është një fakt që qëndron edhe sot. Nuk dua t’ia di nëse je i bardhë, i zi, i gjelbër apo gri, nëse nuk mund të votosh, keq e ke punën”.
Jeanne Smiley, mësuese në pension, ishte ndër të parët afrikano-amerikanë që u lejuan të votojnë në Montgomery të Alabamës.
“Shumë njerëz përreth Montgomerit dhe zonave përreth kishin frikë dhe nuk donin të shkonin për të votuar. Por ne që arritëm të votojmë, u përpoqëm t’u japim zemër të tjerëve që edhe ata të votonin”.
Hank Sanders, Deputet në Senatin e Alabamës
“Nëse ishe i punësuar, sikur thjesht të regjistroheshe për të votuar të pushonin nga puna. Po ashtu pushonin nga puna edhe të afërmit e tu”.
Disa ditë pas së Dielës së Përgjakshme Hank Sanders iu bashkua udhëheqësit të të drejtave civile Martin Luther King dhe mijëra të tjerëve në një marshim në kryeqytetin e shtetit Alabama, Montgomery.
“Fuqia e votës dukej aq e rëndësishme për ata që e kishin, sa që nuk donin që ta kishin edhe të tjerë dhe po bënin sa të mundnin për të mos lejuar afrikano-amerikanët të votonin”.
Fred Gray, jurist për të drejtat civile
“Arritjet që shënuam nuk ndodhën vetvetiu,” thotë Fred Gray, jurist për të drejtat civile i cili përfaqësoi Martin Luther Kingun në gjyq; pasi fituan çështjen, organizatorët arritën të zhvillojnë marshimin nga Selma në Montgomery.
Lyndon Johnson, ish-President i ShBA
“Të gjithë ne duhet të kapërcejmë trashëgiminë dërrmuese të paragjykimeve dhe padrejtësisë”.
Zot Gray thotë se disa muaj më pas Presidenti Lyndon Johnson nënshkroi ligjin për të drejtën e votës.
“E drejta e votës ishte çelësi që hapi portat për shumë gjëra të tjera. Nëse u jep njerëzve të drejtën e votës, mund të zgjedhësh individë që pastaj emërojnë qindra njerëz të tjerë në poste”.
Nims Gay këndon sot himnin e të drejtave civile që frymëzoi atë vetë dhe mijëra të tjerë në betejën e përbashkët./voa
ShBA jep 300 milionë dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën
Macron: duhet t’i kishim dëgjuar udhëheqësit lindorë p...
Kearns: Sllogani i Djokoviqit me rrënjë të spastrimit etnik
FFK garanton siguri për tifozët rumunë
Një polic i lënduar në veri
Ish-ambasadori amerikan në NATO: Kosova e teproi në veri, po...