Pas disa ditëve të vështira, gjatë të cilave ishte mikpritës i Donald Trump, kryeministri i Belgjikës, Charles Michel mund të kishte shpresuar për disa ditë qetësimi, por nuk ndodhi kështu.
Një dalje e tij, në dukje e padëmshme, në një maratonë 20 km në Bruksel, ka bërë që Michel të kërkojë trajtim mjekësor për dëmtim të dëgjimit, pasi ai kishte qëndruar shumë pranë pistoletës që kishte sinjalizuar fillimin e garës, shkrepur nga Princesha Astrid, motra më e re e Mbretit belg, Philip.
Michel ishte fotografuar teksa shikonte i shastisur nga pistoleta në fillim të garës në kryeqytetin belg, të dielën, por fillimisht u pa të qeshte. Sidoqoftë, të hënën ai kishte kërkuar një ekzaminim mjekësor të veshëve.
Deri të martën, axhenda e zënë e kryeministrit, përfshirë dëshminë para një komisioni të Parlamentit belg, është pastruar.
“Kryeministri duhet të ndjekë një numër trajtimesh brenda 48 orëve në vijim pas incidentit”, tha zëdhënësi i tij, duke shtuar se ekzaminime të tjera mjekësore priten gjatë javës.
Familja mbretërore belge, ende nuk e ka komentuar incidentin. Javën e kaluar, qeveria belge mirëpriti presidentin amerikan dhe bashkëshorten e tij, Melania, para takimeve me udhëheqësit e BE-së dhe NATO-s.
Bisedimet mes Trump dhe Michel u raportua se kishin shkuar mirë, edhe pse disa burime nënvizuan se presidenti nuk kishte qenë shumë i përqëndruar dhe kishte shfaqur pak interes për ekonominë e Belgjikës.
Burimet madje thanë se Trump kishte kaluar më shumë kohë duke iu ankuar Michel për vështirësitë e ngritjes së klubeve të golfit në vendet e BE-së, teksa shijonte çokollatat belge. “Këto janë më të mirat në botë”, raportohet t’i ketë thënë Trump mikpritësit të tij.
Spanja mbyll hapësirën ajrore për avionët amerikanë që sulmo...
Ademi pret delegacionin turk para ndeshjes finale
Ylli ia beson detyrën e trajnerit Endrit Elshanit deri në fu...
Shpërthejnë polekimat në Bosnje, ‘spiuni’ italian shfaqet në...
Kandiq për ekspozitën: Është problematike që të paraqitet se...
Bordi i Paqes e mirëpret angazhimin e Qeverisë së Kosovës pë...