BE paralajmëron masa ndaj Izraelit nëse nuk përmirësohet situata në Gazë

09:53 | 24 Qershor 2025
E.K

Bashkimi Europian ka rritur tonet ndaj Izraelit, duke paralajmëruar masa të mundshme nëse nuk ka përmirësime të prekshme për palestinezët në Gazë dhe Bregun Perëndimor. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, deklaroi se “është shumë e qartë” që Izraeli ka shkelur angazhimet për të drejtat e njeriut dhe se blloku është i gatshëm të rishikojë marrëdhëniet me shtetin hebre.

“Tani për tani, gjëja më e rëndësishme është të përmirësohet situata në terren, të ndalet vuajtja dhe të ulet numri i viktimave,” tha Kallas pas takimit të ministrave të jashtëm në Bruksel.

Në tryezë është edhe mundësia e pezullimit të marrëveshjes së asociimit me Izraelin – një pakt që përfshin tregtinë dhe bashkëpunimin politik. Spanja ka kërkuar pezullim të plotë të marrëveshjes, ndërsa Franca ka theksuar se Izraeli ka shkelur nenin 2 të saj, që lidhet drejtpërdrejt me respektimin e të drejtave të njeriut.

Ndërkohë, disa shtete anëtare si Gjermania, Italia dhe Greqia janë shprehur kundër këtij pezullimi, duke theksuar nevojën për dialog të vazhdueshëm.

Belgjika dhe Suedia nga ana tjetër kanë kërkuar më shumë vëmendje për krizën humanitare në Gaza, duke e cilësuar situatën si “jashtëzakonisht të rëndë”.

“Situata është jashtëzakonisht e rëndë në Gaza nuk duhet harruar se njerëzit po vuajnë dhe ne nuk mund të shikojmë vetëm”, tha ministrja e jashtme e Suedisë./rtsh.al