Australia nis hetim të gjerë për antisemitizmin pas sulmit në Bondi

08:50 | 8 Janar 2026
R J

Australia do të zhvillojë një Komision Mbretëror Hetimor për sulmin me armë zjarri në plazhin Bondi, ku u vranë 15 persona gjatë një feste hebraike të Hanukkah-ut, njoftoi të enjten kryeministri Anthony Albanese.

Sulmi i 14 dhjetorit në plazhin e njohur të Sidneit tronditi vendin, i cili ka ligje të rrepta për armët, dhe nxiti thirrje për masa më të forta kundër antisemitizmit dhe për rritjen e sigurisë.

Policia australiane ka bërë të ditur se autorët e dyshuar, baba e bir, ishin frymëzuar nga grupi ekstremist Shteti Islamik.

Kryeministri Albanese deklaroi se Komisioni Mbretëror, forma më e fuqishme e hetimit publik në Australi, do të drejtohet nga gjyqtarja në pension Virginia Bell dhe do të ketë kompetenca për të detyruar dëshmitarët të japin prova.

Hetimi do të analizojë rrethanat e sulmit, përhapjen e antisemitizmit dhe çështjet e kohezionit shoqëror në vend, ndërsa raporti përfundimtar pritet të publikohet deri në dhjetor të këtij viti.

Fillimisht, Albanese kishte refuzuar kërkesat për ngritjen e një komisioni të tillë, duke argumentuar se procesi do të ishte i gjatë, por u përball me kritika nga komuniteti hebraik dhe familjet e viktimave. Ai tha se vendimi u mor pas konsultimeve të gjera me drejtuesit e komunitetit dhe familjarët e të prekurve.

Një rishikim i pavarur mbi veprimet e forcave të rendit, i shpallur muajin e kaluar, do të përfshihet gjithashtu në Komisionin Mbretëror dhe pritet të paraqesë gjetjet e para në prill.