Australia ndalon rikthimin e qytetarit të lidhur me ISIS

22:34 | 18 Shkurt 2026
Q L

Australia ka ndaluar rikthimin në vend të një qytetari të lidhur me grupin ISIS për deri në dy vjet. Vendimi është marrë “në bazë të këshillave të agjencive të sigurisë”, sipas Ministrit të Brendshëm, Tony Burke.

Personi është pjesë e grupit prej 34 grave dhe fëmijëve australianë që përpiqeshin të ktheheshin pas lirimit nga kampi al-Roj në Siri, por u refuzuan nga autoritetet siriane për “arsye teknike”. Nga ky grup, 23 janë fëmijë.

Kryeministri Anthony Albanese theksoi se familjet nuk do të marrin mbështetje nga qeveria për t’u rikthyer.

“Çfarë e bëni, atë do të përjetoni”, tha Albanese, duke theksuar se këta qytetarë zgjedhën të përfshihen në një ideologji të dhunshme dhe reaksionare që kërcënon mënyrën tonë të jetesës.

Megjithatë, ekspertët ligjorë paralajmërojnë se qeveria ka detyrimin ligjor të lejojë rikthimin e qytetarëve, dhe kryeministri siguroi se nuk do të shkelet ligji australian.

Kampi al-Roj strehon mbi 2 mijë persona nga 40 vende të ndryshme, kryesisht gra dhe fëmijë, ndër ta besohet të jetë edhe Shamima Begum. Drejtoresha e kampit Hakmiyeh Ibrahim ka bërë thirrje ndaj vendeve përkatëse: Merrni qytetarët tuaj, merrni këta fëmijë dhe gra.

Situata në kamp është e rëndë, pasi banorët janë kequshqyer dhe pa akses në resurset bazë. Edhe Franca, Holanda dhe Mbretëria e Bashkuar kanë refuzuar rikthimin e qytetarëve të tyre që ende ndodhen në Siri.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme