Australia emëron për herë të parë një grua në krye të ushtrisë

13:52 | 13 Prill 2026
E.G

Australia ka njoftuar se për herë të parë në historinë e saj, një grua do të drejtojë ushtrinë, në kuadër të një riorganizimi të udhëheqjes së forcave të armatosura.

Gjeneral-lejtnantja Susan Coyle, aktualisht shefe e kapaciteteve të përbashkëta, do të marrë detyrën e shefes së ushtrisë në muajin korrik, duke zëvendësuar gjeneral-lejtnantin Simon Stuart.

Kryeministri Anthony Albanese e cilësoi këtë si një moment historik, duke theksuar se ushtria australiane, në 125 vjet ekzistencë, nuk ka pasur më parë një grua në këtë post.

Edhe ministri i Mbrojtjes, Richard Marles, e përshkroi emërimin si një arritje të rëndësishme, duke nënvizuar ndikimin që do të ketë për gratë që shërbejnë apo synojnë të jenë pjesë e forcave të armatosura.

Coyle, 55 vjeç, i është bashkuar ushtrisë në vitin 1987 dhe ka mbajtur një sërë rolesh të larta komanduese. Sipas autoriteteve, ajo do të jetë gruaja e parë që drejton një degë të ushtrisë australiane.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur ushtria australiane po përpiqet të rrisë përfaqësimin e grave në radhët e saj, mes akuzave për ngacmime seksuale dhe diskriminim sistematik. Aktualisht, gratë përbëjnë rreth 21% të forcave të armatosura dhe 18.5% të pozicioneve të larta drejtuese, ndërsa synimi është që deri në vitin 2030 kjo përqindje të arrijë në 25%.

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale