Google ADS

Aleati i presidentit Obama rrezikon humbjen në Chicago

02:18 | 7 Mars 2015
Arbresh.info

Rahm Emanuel ishte dikur shef i kabinetit të Presidentit Barack Obama, pas fitores së tij historike në 2008.
Ai u largua më vonë për t’u zgjedhur kryebashkiak në Chicago, qytetit kryesor në Illinois dhe një nga më të rëndësishmit në SHBA. Chicago është edhe qyteti ku ka jetuar pjesën më të madhe të jetës Obama përpara se të bëhej president.
Por sonte, Rahm Emanuel ka pësuar bllokimin e tij të parë në karrierën e tij politike. Ai dështoi të merrte aprovimin e partisë së tij për një kandidim të dytë si kryebashkiak.
Ndonëse shpenzoi 7.5 milionë dollarë dhe pati për vizitë edhe vetë Presidentin Obama, Emanuel mori vetëm 45% të votave dhe duhet të përballet pas 5-6 javësh me Jesus Garcia (i njohur si Chuy), i cili mori 34%, ndonëse ishte relativisht i panjohur dhe pa mbështetje financiare.
Gjatë kohës së tij si kryebashkiak, Emanuel është armiqësuar me sindikatën e arsimit ndërsa rritja e kriminalitetit ia ka ulur mbështetjen mes pakicave afrikano-amerikane dhe hispanike.
Tani ai rrezikon të humbasë, nëse rivalët e tij arrijnë të bashkohen për balotazhin në zgjedhjet paraprake brenda Partisë Demokratike.
Rahm Emanuel ka punuar në administratën e Presidentit Bill Clinton, përpara se të punonte në Wall Street dhe të zgjidhej në Kongres nga Illinois, nga ku kaloi në kabinetin e Presidentit Obama.
Në Kongres, Emanuel ka qenë për dy vjet kryetar i kaukusit serb, por ka qenë shumë pasiv dhe nuk e kundërshtoi pavarësinë e Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale