15-vjeçari tenton të vrasë me armë mësuesin në Uells

19:17 | 5 Shkurt 2026
E.H

Një djalë 15-vjeçar u arrestua sot në 5 shkurt nga policia nën dyshim për tentativë vrasjeje pas një incidenti në Milford Haven Comprehensive School në Pembrokeshire, Uells. Incidenti ndodhi të enjten rreth orës 15:20, kur nxënësi tentoi të sulmonte një mësues me armë.

Policia e Dyfed-Powys tha se menjëherë pas ngjarjes, shkolla u vendos nën bllokadë, për të siguruar nxënësit dhe stafin. Mësuesi i sulmuar po merr trajtim mjekësor për lëndimet e marra. Asnjë nxënës nuk u dëmtua dhe shumica tashmë kanë shkuar në shtëpi. Një zëdhënës i Shërbimit të Ambulancës në Uells tha se u thirrën në vendngjarje dhe një pacient u transportua në spital. Policia vijoi të qëndrojë në shkollë për hetime.

Këshilli i Pembrokeshire konfirmoi se të gjithë nxënësit janë të sigurt dhe se çdo aktivitet pas shkollor për këtë mbrëmje është anuluar. Incidenti është nën hetim dhe se oficerët po punojnë për të kuptuar të gjitha rrethanat e ngjarjes. Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal. Autoritetet po bëjnë thirrje që prindërit dhe komuniteti të qëndrojnë të qetë dhe të lejojnë policinë të kryejë hetimin.

Djali 15-vjeçar u la në paraburgim, ndërkohë që hetimet vazhdojnë për të përcaktuar motivin dhe mënyrën sesi ndodhi incidenti. Policia dhe autoritetet shkollore po bashkëpunojnë ngushtë për të siguruar që të gjithë nxënësit dhe stafi të ndihen të mbrojtur dhe për të parandaluar çdo incident të ngjashëm në të ardhmen./tvklan.al

Shpërndaje në rrjete sociale