UP angazhon 65 ligjërues të pensionuar në fakultete

18:19 | 23 Dhjetor 2019
M. A.

Katër drejtime në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, rrezikojnë mbylljen. Drejtimi më në rrezik është ai i elektroenergjetikës. Arsye për këtë është pensionimi i stafit të rregullt akademik. Me një problem të tillë nuk përballet vetëm FIEK’u. Aktualisht në gjithë Universitetin e Prishtinës ligjërojnë 65 profesorë të pensionuar, derisa numri më i madh i tyre është në Fakultetin e Arteve. Ata kanë të drejtë të angazhohen deri në moshën 70 vjeçare dhe paguhen vetëm për orët që mbajnë.

Universiteti i Prishtinës po mbushet me profesorë të pensionuar dita-ditës.

Përvoja e gjatë si ligjërues dhe mungesa e kuadrove të reja, po u mundëson profesorëve të UP’së, që ta vazhdojnë të dalin para studentëve për të ligjëruar deri në moshën 70 vjeçare.

Por, me pensionimin e tyre rrezikojnë mbylljen edhe disa fakultete. Drejtimet më të rrezikuara janë ato të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.

Për rrezikun e mbylljes së këtyre drejtimeve ka paralajmëruar ditë më parë organizata ADMOVERE.

Në raportin “Gjendja në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike”, thuhet se drejtimi më i rrezikuar është ai i elektroenergjetikës.

“Nga intervistat e realizuara me pjesëtarë të stafit të rregullt e të angazhuar akademik të FIEK’ut, por dhe me përgjegjësit dhe ish-përgjegjësit e departamenteve në FIEK, rezulton se ka rrezik që të mbyllet drejtimi i elektroenergjetikës”, thuhet në raport.

Por, jo vetëm ky drejtim rrezikon mbylljen. Profesorët e këtij fakulteti alarmojnë edhe për drejtimet e tjera.

“Madje, njëri nga profesorët e intervistuar thotë se ka gjasa që të mbyllet edhe drejtimi i automatikës, e më vonë ndoshta edhe i telekomunikacionit. Rrezikun për këto dy drejtime, madje duke shtuar edhe drejtimin e elektronikës, e theksojnë edhe profesorë të tjerë“, thuhet tutje në raport.

Sipas profesorëve të FIEK’ut, shkaktari kryesor që mund të sjellë mbylljen e këtyre drejtimeve është pensionimi i stafit të rregullt akademik. Kjo situatë është rënduar sidomos viteve të fundit, meqë stafi i rregullt akademik i FIEK’ut i ka takuar gjeneratës së njëjtë, çka ka bërë që brenda një viti të pensionohen disa profesorë përnjëherë.

“Të gjithë të intervistuarit ishin të mendimit se shkaktari kryesor që mund të sjellë mbylljen e programeve studimore të FIEK, e veçanërisht të elektroenergjetikës, është pensionimi i stafit të rregullt akademik”, theksohet në raport.

Për gjendjen në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike janë deklaruar edhe nga menaxhmenti i këtij fakulteti.

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Enver Hamiti thotë se aktualisht ka vështirësi vetëm për programin e Elektroenergjetikës.

Deklaron se në mungesë të stafit të rregullt, ata kanë angazhuar katër profesorë të pensionuar.

“Aktualisht ka vështirësi vetëm për programin e Elektroenergjetikës, ndërsa te tjerët nuk kanë asnjë problem. Në këtë moment, është në proces konkursi për pranimin e tre mësimdhënësve të rijnë dhe nëse përfundon me sukses, do ta kemi numrin e nevojshëm te stafit për riakreditinm te këtij programi”, ka thënë Hamiti për Express.

Por, thotë se Agjencia e Akreditimit duhet të jetë e gatshme që me pak vonesë të pranojë prurjet e reja në këtë program.

“Megjithatë, pas përfundimit të konkursit, për ri akreditim të programit Elektroenergjetika, për vitin shkollor 2020/21, Agjencioni i Akreditimit te Kosovës, duhet të jetë i gatshëm që me pak vonesë të pranojë prurjet e reja në këtë program. Kjo, pasi ne këtë mënyrë do të përmbushen kriteret formale juridike për fillimin e procesit të riakreditimit”, thuhet në përgjigjet e Hamitit drejtuar Gazetës Express.

Profesorët e pensionuar vazhdojnë të angazhohen edhe në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike.

Dekani i FIM’it, Ahmet Shala i ka thënë Gazetës Express se angazhimi i profesorëve në pension lejohet sipas rregullave të Universitetit.

Deklaron se në Fakultetin që ai drejton tani janë të angazhuar 9 profesorë në pension. Mirëpo, thotë se ata paguhen vetëm për orët që mbajnë.

“Angazhimi i profesorëve të pensionuar lejohet sipas rregullave të Universitetit, sipas nevojave të Fakultetit, prandaj bazuar në nevojat e FIM-së janë 9 profesorë të angazhuar në pension (angazhimi deri në moshën 70 vjeçare). Këta profesorë paguhen vetëm për orët që mbajnë, mesatarisht 2-4 orë ne javë”, ka thënë Shala për Express.

E i pyetur nëse ndonjëri prej drejtimeve rrezikon mbylljen shkaku i pensionimit të stafit akademik, Shala thotë se aktualisht qëndrojnë mirë më staf.

“Aktualisht kemi staf të mjaftueshëm me gradën Doktor i shkencave, për mbulimin e programeve të akredituara. Në konkursin që është në vijim presim tre asistent të kalojnë në thirrjen akademike profesor, pasi që kanë përfunduar studimet e doktoratës. Deri në fund të vitit 2020 nevojitet të kemi edhe 2 profesorë ashtu që të mbulojmë programet aktuale”, deklaron.

Për numrin e saktë të profesorëve të pensionuar që vazhdojnë të ligjërojnë, kanë dhënë detaje nga Universiteti i Prishtinës.

Në Rektoratin e UP’së i kanë thënë Gazetës Express se numri i profesorëve të pensionuar që aktualisht janë të angazhuar nëpër njësi akademike është 65.

Numri më i madh i tyre është në Fakultetin e Arteve, ku aktualisht janë të angazhuar 13 profesorë të pensionuar.

E për arsyen e angazhimit të tyre edhe pas pensionimit, në këtë institucion e lidhin me përvojën e tyre akademike. Deklarojnë se ata kanë të drejtë angazhimi deri në moshën 70 vjeçare.

“Arsyeja e angazhimit të profesorëve qëndron në nevojën e mëtejme për angazhime, mentorime të temave e të tjera nevoja, duke pasur parasysh përvojën e tyre akademike. Angazhimi i profesorëve të pensionuar mund të bëhet deri në moshën 70 vjeçare”, deklarojnë në Rektorat.

Angazhimi i profesorëve të pensionuar duket se do të vazhdojë edhe gjatë.

Në Rektorat thonë se angazhimi i tyre bëhet në të gjitha universitetet botërore

“ Disa universitete angazhimin e profesorëve të pensionuar e bëjnë deri sa ata konsiderohen të aftë fizikisht për mbajtje të mësimit apo mentorimit, e po ashtu shfrytëzohet eksperienca e tyre në kërkime shkencore”, thuhet në përgjigjet e Rektoratit drejtuar Gazetës Express.

Por, për njohës të sistemit të arsimit, angazhimi i profesorëve pas pensionimit nuk po shihet si pengesë. Madje, thonë se ata duhet të shfrytëzohen sa më shumë shkaku i përvojës që kanë.

Drejtori i Qendrës Kosovare për Arsim, Dukagjin Pupovci i kishte thënë Gazetës Express se këta profesorë duhet të shfrytëzohen derisa janë në gjendje dhe dëshirojnë të kontribuojnë në jetën akademike.

Por, thotë se kjo nuk duhet të jetë pengesë për pranimin e kuadrove të rinj e të kualifikuar.

“Kuptohet, angazhimi i një profesori të pensionuar nuk duhet të jetë pengesë për pranimin e kuadrit të ri dhe të kualifikuar nëse ka të tillë”, kishte thënë Pupovci.

Derisa shtonte se për shumë disiplina nuk ka numër të mjaftueshëm të kuadrove të kualifikuara që t’i zëvendësonin profesorët në pension./Gazeta Express

Shpërndaje në rrjete sociale