Ndërhyrja e politikës po ulë cilësinë në arsim, vendimi i KSHC i drejtë

09:33 | 18 Korrik 2019
M. A.

Përkundër ndërhyrës së kreut të qeverisë dhe ministrit të arsimit për të anuluar vendimin e të Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mos akredimin e 3 universiteteve publike, analistët e arsimit dhe deputetët e konsiderojnë si vendimi më i arsyeshëm i viteve të fundit.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë ua ka hequr akreditimit Universitetit publik të Pejës, Prizrenit dhe Mitrovicës si dhe 4 kolegjeve private. Ky vendim i KSHC ka ngjallur reagime të shumta dhe përçarje mes krerëve të vendit dhe njohësve të arsimit, shkruan arbresh.info.

Deputetja e kuvendit të Kosovës që është edhe pjesë e Komisionit për Arsim, Arbrerie Nagavci mendon se vendimi i KSHC është i drejtë sepse është i bazuar  në rekomandimet e ekspertëve që kanë nxjerr gjatë vëzhgimit në teren.

“Mendoj që vendimi i KSHC-së është në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive që ata i kanë.  Ata janë të obliguar që në afatin e caktuar kohorë të bëjnë akreditimin e programeve dhe akreditimin institucional të institucioneve  të edukimit të lartë dhe ky vendim ka ardh pas rekomandimit të eksperteve dhe ligji e përcakton se në marrjen e vendimeve KSHC bazohet në rekomandimet e ekspertëve të cilët kanë kryer vazhdimet në teren”, tha ajo për portalin Arbresh.info.

Ndërhyrjen e kryeministrit dhe ministrit të arsimit, Nagavci e sheh si të papranueshme sepse ndërhyrjet e vazhdueshme thotë ajo kanë ulur cilësinë në arsim.

“Tani është e papranueshme ndërhyrja e kryeministrit, zëvendëskryeministri dhe ministrit të Arsimit në vendimin e KSHC-së. Është obligim i qeverisë që të ndihmojnë në përmirësimin  cilësisë në arsim. Ndërhyrjet e vazhdueshëm e kanë ulur cilësinë në arsim”.

Vendimi i KSHC ishte nje nga vendimet me te arsyeshme keto vitet e fundit, thotë njohësi i arsimit, Armend Muja.

Muja tregon se vendimi i KSHC është një reflektim për të eliminuar sfidat në menaxhim dhe ofertë arsimore.

“Universiteti i Pejës ka rreth 10,000 studentë dhe mjerisht 40% e tyre studiojnë juridik, 50% ekonomik, ndërsa pjesa tjetër e programeve 10%. A nuk është turizmi, bujqësia, agrobiznesi, edukimi primar dhe sekondar dhe shëndetësia primare dhe sekondare sfida kryesore. Ngjashëm me Universitetin e Pejës, edhe Universiteti i Prizrenit është orientuar ne studim te juridikut, gjuhës dhe biznesit. Mjerisht, duke neglizhuar identitetin dhe ekonominë rajonale te rrethit te Prizrenit – arkitektura, kultura, industria ushqimore, industria e përpunimit etj. Ky vendim ishte një moment i vonshëm i reflektimit. Te gjitha këto Universitete nuk kane staf akademik as për t’u quajtur Kolegje. Andaj, është moment i fundit qe akteret institucional te shkarkojnë bordet e këtyre institucioneve, kufizojnë studentet në fusha me interes për ekonomitë rajonale , trefishojnë financimin dhe numrin e stafit akademik”, tha ai./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale