Dy nxënëse suspendohen, deshën t’ia festojnë mësueses ditëlindjen në shkollë

20:19 | 27 Shkurt 2018
M. A.

Aulonë Syla është suspenduar nga mësimi për tri ditë së bashku me një nxënëse tjetër të klasës, raporton KTV.

Vendimi për suspendimin e tyre është marrë pasi të premten nxënësit e klasës 11/4 të gjimnazit “Naim Frashri” në Shtime, kishin vendosur që kujdestaren e klasës ta befasonin me një ëmbëlsirë për ditëlindje.

Siç tregon Aulona, fishekzjarrët i kishin ndezur në pushimin 5-minutësh ndërmjet orës së parë dhe të dytë, kur mendonin se mund të vijë kujdestarja. Por, tymi i lëshuar që u përhap në klasë alarmoi menaxhmnetin e shkollës, i cili mendoi se mund të kishte zjarr.

Ajo e pranon se nuk kanë marrë leje për ëmbëlsirën, pasi qëllimi nuk ishte i keq. E, prindi i Aulonës, Safet Syla, i cili menjëherë është ankuar në Drejtorinë e shkollës, por edhe në Drejtorinë e Arsimit të komunës, thotë se ky vendim i menaxhmentit ka qenë i ngutshëm dhe nuk është lajmëruar fare për sjelljen e vajzës.

Zv/drejtoresha, që ishte në ndërrim, thotë se nxënësit paraprakisht duhet të marrin leje, pasi thekson se sjelljet e tilla do të mund të dëmtonin gjithë nxënësit e klasës.

Drejtori i shkollës, Rexhep Hasani, ka bërë të ditur se menjëherë pas ankesës së prindit, Aulona është kthyer në mësim.

Por, gjithsesi ai do të presë rekomandimin e drejtorit të arsimit në nivel të komunës për hapat e mëtutjeshëm.

 

Shpërndaje në rrjete sociale