Pothuajse tash e 36 vite Ismet Hajzeri, minator në minierën e Trepçës, ballafaqohet me kushte që në çdo moment do të mund të ishin fatale për jetën e tij.
Puna që ai e bën është mjaft e rrezikshme, e si mos të mjaftonte vetëm kjo, Ismeti thotë se problem për ta tash e sa vite është bërë dhe statusi i pa definuar për Trepçën si dhe mjetet të cilat nuk i plotësojnë as kushtet minimale për të kryer punën.
Për Arbresh.info, Hajzeri ka treguar se miniera çdo ditë prodhon invalidë, madje ai shton se këtu punojnë dhe persona të cilët kanë pësuar infarkt.
“Jam këtu qe 36 vjet, ne kemi probleme me teknikë, është e vjetruar. Shumë pak ka ndryshuar miniera që nga koha kur ja kom fillu, të gjitha makinat janë të vjetruara. Kërkesat tona pak kanë shkuar përpara. Statusin se kemi të definuar, nuk kemi as pensionet, as sigurim shëndetësor. Miniera çdo ditë prodhon invalid. Jemi një gjeneratë e vjetruar dhe kështu është vështirë me punu në këtë gjendje. Edhe përpara, personat të cilët kanë arritur moshën 50 vjeçare i kanë hekur nga prodhimi, ndërsa sot punojnë edhe persona me infarkt dhe nuk është mirë një person i tillë me punu me makina, një person që mbush 63 vjeç nuk është i aftë për punë, është dashur që në ketë moshë të marrin pensione e mos të punojnë,” është shprehur Hajzeri.
Për krejt këto probleme ai ka një kërkesë ndaj Qeverisë së Kosovës, që një herë e mirë t’i kthejë sytë ka minatorët, të cilët sipas Hajzerit dikur dhanë gjithçka për vendin e sot vendi nuk po i shpërblen.
“Qeveria duhet të merret më minatorët. Nuk duhet më na barazu me persona të profesioneve të tjera, sepse puna në minierë është e vështir. Është shumë e vështir të punohet në këto kushte. Na kanë premtura që do t’i realizojnë kërkesat tona, por në të vërtet asgjë nuk është bërë dhe na jemi tu prit. Është problem më prodhu me këtë makineri, është mëkat me dalë në sipërfaqe me atë makineri. Kërkoj që një herë e përgjithmonë t’i kthejnë sytë kah minatorët dhe të zgjidhin statusin e miniaturave sepse ne kemi dhënë shumë për ju, ama Qeveria so tu dhanë asgjë për neve. Nuk mund të japim prodhim me këto makineri, është e pamundshme, dhe si rrjedhojë nëse nuk na ndihmojnë mundet me shku në kolaps,” shprehet minatori Hajzeri.
Edhe udhëheqësi i zonës së 11, Fatmir Hyseni, thotë se për shkak të numrit të vogël të punëtoreve, dhe moshës së tyre, nuk mund të realizojë as 50% të punës në këtë zonë.
“Jam udhëheqës i zonës së 11 dhe i kam vetëm 25 punëtorë, janë edhe 50 % që nuk mund t’i përmbush kërkesat pasi që më mungojnë punëtoret. Është problem, sepse nuk mundet punëtori 63 vjeçar më jap maksimumin e punës. Nëse nuk marrin punëtor të ri, për ne si udhëheqës është problem, çdo herë jemi në kërkim të kuadrove të reja. Qeveria është në formim një statusit dhe këtu kanë ngecur të gjitha punët tona. Kërkesat ton i kemi adresuara te Qeveria dhe ministrit përkatës,” deklaron Hyseni.
Ai shton se është problem që punëtori 63 vjetarë të kryej punën me makina në prodhimtari në minierë.
“Janë disa lëkundje, por në nuk kemi më shumë informata. Problemi numër një është fuqia punëtorë dhe makineria e vjetruara. Sepse, ka makina që janë 20 vjet të vjetra dhe nuk i përmbushin kërkesat. Deri në ditën e fundit që del në pension punëtori, këtu punon. Është dashur të bëhet si më herët ku punëtori është pensionuar me 28 vjet përvojë pune. Ndërsa, tash deri në 48 vjet punojnë në këtë minierë. Me pas kapacitete të punëtoreve më shumë, do të kishim mundur të punojmë dhe të prodhojmë,” shprehet Hyseni.
Kujtojmë se “Trepça” e cila ishte në mesin e ndërmarrjeve më të mëdha në ish-Jugosllavi, tani është në fazën e mbijetesës dhe me probleme të mëdha. Që nga paslufta kjo ndërmarrje nuk arriti të rimëkëmbet.
Janë bërë dy vjet prej kur Kuvendi i Kosovës pati miratuar Ligjin për Trepçën, me të cilin mëtonte ta rimëkëmbte dhe revitalizonte ndërmarrjen. Por, si i tillë ky ligj nuk arrti të zbatohet në tërësi, për shkak të, siç thuhet, neglizhencës që treguan autoritetet e vendit karshi ndërmarrjes.
Në bazë të këtij ligji, pronësia e kompleksit u bart nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) tek Qeveria e Kosovës, si aksionare kryesore me 80 për qind, kurse 20 për qind janë aksione të punonjësve të “Trepçës”.
“Trepça” është e ndarë në tri njësi biznesi, ndërsa njëra prej tyre është në pjesën veriore të vendit dhe menaxhohet nga serbët.
Një statut për “Trepçan” i miratuar nga Qeveria e Kosovës në maj të këtij viti ishte kundërshtuar gjatë diskutimit në komisionet e Kuvendit të Kosovës, duke e mbajtur pezull rishikimin e tij. /V.Selimi/Arbresh.info/
https://www.youtube.com/watch?v=pfJG0QSUZq8
18 raste me fruth në Shqipëri, përgjatë vitit 2025
Tifogrupi “Shvercerat” lëshon ultimatum për pronarin e Shkup...
Rama dhe Pajaziti diskutojnë bashkëpunimin mes Prishtinës dh...
Trump: Do diskutoj me Netanyahun për vendosje të trupave tur...
Italia konfirmon ndihmën ushtarake për Kievin edhe në 2026
Përpjekjet e Izraelit për të destabilizuar rajonin po rriten...