Neglizhenca e Policisë së Kosovës, ka bërë që shumë raste të përfundojnë me fatalitet, njëjtë si rasti i fundit i 11-vjeçarit nga Fushë Kosova i cili u gjend i vdekur javën e kaluar, pas dhunimit. Policia kishte qenë e informuar që nga janari i këtij viti për rastin.
Valbona Marku – Nrecaj dhe Abid Jashari ishin dy viktimat tjerë, që pësuan me fatalitet ani pse Policia e Kosovës kishte qenë e informaur shumë më herët për rastet e tyre.
Vrasja e Valbona Markut – Nrecajt dhe vajzës së saj 9-vjeçare
Mbrëmjen e shtatë gushtit të vitit 2018 në Gjakovë ndodhi një ngjarje tronditëse. Pjetër Nrecaj, vrau gruan Valbonën dhe vajzën e tij 9 vjeçare.
Vrasja ndodhi në fshatin Brekoc, shtëpinë e vëllezërve të Valbonës – ku ajo jetonte me tre nga fëmijët e tyre, pasi që paraprakisht kishte pësuar dhunë fizike nga burri i saj. Problemet e çiftit kishin kohë që kishin filluar pas kërkesës së Valbonës për divorc. Pjetër Nrecaj kishte qëndruar rreth një muaj në paraburgim për veprën penale të “kanosjes” ndaj gruas.
Ditën e tragjedisë, Valbonës i kishte ardhur një mesazh kërcënues nga ai. E ndjera e kishte raportuar kërcënimin e burrit në polici – por këta të fundit nuk e morën seriozisht, shkruan Insajderi.
Policia e kishte pranuar se ka marrë informatën për kërcënimin, por thoshin se nuk e kishin gjetur të dyshuarin.
“Policia i janë përgjigjur rastit, kanë ndërmarrë veprimet operative duke e kërkuar të dyshuarin në shtëpinë e tij dhe në lokacione të ndryshme, është tentuar të kontaktohet edhe përmes telefonit por i njëjti nuk është paraqitur”, kishte thënë Lirie Podrimaj zyrtare për informim në Policinë e Kosovës.
Mos reagimin e menjëhershëm të Policisë në lidhje me rastin, tentojë ta arsyetojë nënkoloneli i policisë, Ahmet Hasi. Hashi tha se nuk është kërkuar urdhër-mbrojtje nga viktima.
Për Policinë e Kosovës nuk ka qenë i mjaftueshëm lajmërimi i kërcënimit nga e ndjera.
Brenda një muaji, Inspektorati Policor ka marrë dy vendime kundërthënëse lidhur me këtë vrasje të dyfishtë.
Në njoftimin e lëshuar më 16 gusht, Inspektorati kishte thënë se nuk e kishte gjetur ndonjë veprim të kundërligjshëm në trajtimin e këtij rasti.
Ndërsa një ditë më parë, në orët e mbrëmjes, njoftoi se tre zyrtarë policorë duhej të suspendoheshin si të dyshuar për keqpërdorim të autoritetit zyrtar.
Vrasja në qendër të Prishtinës
Një rrufe me plumba kishin qëlluar mbi trupin e Abid Jasharajt në qendër të Prishtinës. Dyshohet se një mosmarrëveshje, që babai i tre fëmijëve e kishte me familjen e gruas së tij, e çoi drejt vdekjes atë.
Por një ditë para se në trupin e tij të shkrepen plumba, Abidi kishte raportuar në polici për kërcënimet që kishte marrë nga familja e gruas.
Policia e Kosovës ka dal me një sqarim për vdekjen e 34-vjeçarit, Abid Jashari gjatë ditës së djeshme në rrugën “Haxhi Zeka”, në Prishtinë.
Në njoftimin e policisë thuhet se Abid Jasharaj dhe miku i tij Besnik Shkodra 26-vjeçar kishin pasur një konflikt fizik me njëri tjetrin.
“Në ora 02:45 personi A.J. është paraqitur në stacionin policor Qendra në Prishtinë, për të paraqitur një rast tjetër , ku ka deklaruar se i njëjti (vet ai) e ka sulmuar/rrahur djalin e mikut të tij (B.Sh. 26 vjeçar), për një fyerje (sms ofendues) dhe mosmarrëveshje në mes veti.Vlen të potencohet se gjatë kësaj kohe personi A.J. ka qenë i shoqëruar me mikun e tij (vëllain tjetër të B.Sh.)”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas policisë, Jasharaj fillimisht kishte njoftuar policinë për mesazhet kërcënuese që i kishin ardhur nga miku i tij Besnik Jasharaj në telefonin e bashkëshortes së tij, por policia kishte kërkuar që në stacionin e policisë të paraqitej edhe gruaja e tij për ta bërë denoncimimin.
Tutje në sqarimin e policisë thuhet se “Personi A.J. rreth orës 03:30 është paraqitur në stacionin policor Veri , për të deklaruar lidhur me pretendime te tij për mesazhet kërcënuese, që i kishte pranuar përmes telefonit nga miku i tij i cili gjendej në Austri”.
“Me që këto mesazhe kërcënuese kanë qenë indirekte, (pasi të njëjtat ishin dërguar në telefonin e bashkëshortes se tij, nga i njëjti është kërkuar që të ftohet bashkëshortja për ti sjellë mesazhet kërcënuese dhe për të deklaruar lidhur me rastin”, thuhet në njoftimin e policisë.
11-vjeçari i rrahur dhe dhunuar seksualisht
K.Veseli, 11-vjeçari, dyshohet se ishte dhunuar tri herë nga Sefedin Osmani, një 20-vjeçar. Këtë e kishte bërë të ditur edhe nëna e 11-vjeçarit, Makfire Veseli.
Makfire Veseli, kishte thënë se policia ka qenë e informuar që nga janari për të dyshuarin Sefedin Osmani. Ajo po ashtu thotë se edhe familja e të dyshuarit ka qenë e informuar për abuzimin që iu kishte bërë djalit të saj.
“Djali më dilte nëpër kanta dhe më vinte e qante më tregonte për rastin. Po unë njëherë e lashë. Nuk e lajmërova hiç policinë. Mandej e lashë, erdhën vetë policia, që u lajmërua djali në polici. Unë kam qenë të familja jem. Kanë ardh policia e Fushë Kosovës. Edhe më thanë ‘Makfire a e din që e kanë dhunua djalin. Thashë po, djali më ka kallxu”, kishte thënë Makfrija për Express.
Policia e Kosovës, kishte qenë e informuar që nga janari i këtij viti për abuzimin seksual që iu kishe bërë 11-vjeçarit K.Veseli nga Fushë Kosova. Por nuk ishte marr asnjë veprim derisa K.Veseli ishte gjetur i vdekur pas shtatë muajve, të raportimit të rastit.
Abuzimi dhe dhuna ndaj K.Veselit kishte vazhduar deri të enjten e 11 korrikut, ku ishte gjetur i vdekur poshtë shkallëve të një kompleksi banesor në lagjen “Xhemail Mustafa”, në Fushë Kosovë.
A do të largohet Guardiola nga City? Kjo është përgjigja e s...
Bahamas njeh Kosovën, Osmani nënshkruan marrëveshjen diploma...
Supremja e lë Ramadan Morinën në paraburgim, kërkon nga Them...
Treni godet një automjet afër Drenasit, dy të lënduar
Polonia dhe Ukraina tregojnë unitet kundër Rusisë, trajtojnë...
KQZ akrediton edhe 276 vëzhgues, prej tyre 15 organizata