Sigurimet shëndetësore, në fund të këtij viti fillon mbledhja e premiumeve

09:16 | 24 Shkurt 2019
A Z

Qytetarët Kosovës, sipas deklarimeve të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë deri në fund të 2019 do të mbeten pa sigurime shëndetësore.

Mbledhja e premiumeve edhe pas shumë shtyerjeve nuk ndodhi as në vitin 2018, por, sipas ministrit aktual, Uran Ismaili, besohet se sigurimet shëndetësore do të ndodhin më 2019.

Faik Hoti, nga Ministria e Shëndetësisë, në një prononcim për arbresh.info tha se funksionalizimi i plotë i fondeve do të bëhet deri në fund të 2019. Sipas tij ky proces nuk ka qenë aspak i lehtë, sepse dhe pas atyre premtimeve puna në terren nuk ka qenë askund.

“Çdo ditë e më shumë po i afrohemi realizimit edhe të sigurimeve.Nuk ka qenë e lehtë aspak që ta sjellim këtë proces në këtë pikë, pasiqë edhe pse është premtuar për një kohë të gjatë, realisht puna në terren nuk ka qenë askund. Deri në fund të vitit 2019 do të bëjmë funksionalizimin e plotë të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore dhe nisjen e mbledhjes së premiumeve.Si hap i parë në këtë drejtim, në pjesën e dytë të këtij viti, do të nise dhe rimbursimi i barnave jashtëspitalore, si shërbim i parë i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore”, tha Hoti.

Hoti gjithashtu potencoi se mjetet e Fondit për Sigurime Shëndetësore janë të ndara nga buxheti i Kosovës pasi që mbledhja e premiumeve ende nuk ka filluar.

“Rreth 80 milionë euro (më saktësisht 82 milionë euro) është buxheti i paraparë i MSh-së dhe Fondit së bashku.Prej kësaj shume, buxheti Fondit pritet të jenë rreth 37 milionë euro për 2019. Mjetet e Fondit janë mjete të ndara nga Buxheti i Kosovës për shëndetësinë, jo mjete të mbledhura, sepse mbledhja e kontributeve (premiumeve) nuk ka filluar ende”, tha Hoti.

E sa i përket kompanive të sigurimeve, ai tha se me to do të diskutojnë kur të fillojë kontraktimi i shërbimeve nga sigurimi shëndetësor plotësues.

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë që në fillim e kishin kundërshtuar mbledhjen e premiumeve, thonë se nuk kanë pasur takime me ministrin Uran Ismaili për këtë çështje.

Gjithsesi ata për arbresh.info deklaruan se ka ende shumë punë para se të fillohet me sigurime.

“Ne kemi pasur takime me Ministrin e Shëndetësisë, por jo ekskluzivisht për Sigurime Shëndetësore. Në Dhjetor të vitit 2018, ne kemi pasur një tryezë për këtë çështje, por Ministri nuk ka ardhur për shkak të angazhimeve të tjera. Ne konsiderojmë se nuk janë plotësuar ende kushtet për fillimin e inplementimit të skemës së sigurimeve shëndetësore, madje konsiderojmë se ka ende shumë punë para se të startohet me sigurime”, u deklaruan nga kjo shoqatë.

Nga kjo shoqatë gjithashtu theksuan se procesi i sigurimeve shëndetësore është shumë i komplikuar dhe se pa u plotësuar të gjitha kushtet nuk duhet të fillojë mbledhja e premiumeve.

“Sigurisht, skema e sigurimeve shëndetësore do të ishte një garanci financiare, që pacientët pos sëmundjeve që kanë, të mos kenë edhe rrezikun financiar. Kërkesat për të filluar sa më shpejtë me sigurime janë të mëdha, por ky është një proces mjaft i komplikuar, ku pa u plotësuar të gjitha kushtet nuk duhet të filloj mbledhja e premiumeve për sigurimet shëndetësore” u deklaruan nga kjo shoqatë.

Veç tjerash nga Ministria e Shëndetësisë u tha se përmes Projektit të Shëndetësisë Kosovare është duke u përgatitur edhe një fushatë informuese për qytetarët për sigurimet shëndetësore, me qëllim që secili qytetar i vendit të ketë informacione burimore për procesin e sigurimeve shëndetësore, mënyrat si do ta zbatohen sigurimet, përfitimet nga ky process, sfidat, etj./E.Haxhiu/Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale