Premtohet krijimi i ujëmbledhësve dhe krijimi i rezervave ujore

11:02 | 4 Janar 2019
A Z

Një ndër problemet më të mëdha në vend mbetet ndotja e ajrit. Por, problemet e mjedisit nuk mbyllen me zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Në një intervistë për arbresh.info Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, flet për ndërtimin e ujëmbledhësve, krijimin e rezervave ujore, trajtimin e ujërave të zeza.

“Këtë vit i kemi dhënë edhe prioritet mungesës së ujit të pijshëm dhe ujit në përgjegjësi sepse Kosova është vendi më i varfër në rajon nga rezervat ujore dhe kemi përcaktu prioritet ndërtimin e ujëmbledhëseve për Republikën e Kosovës. I kamë shkruar një letër edhe Bankës Botërore për t’i kërkuar mbështetje në këtë drejtim dhe kam marrë përgjigje pozitive prej tyre dhe jemi në proceset e bisedimeve me Bankën Botërore dhe besoj se në vitin 2019 do të avancojmë shumë sa i përket krijimit të rezervave ujore për vendin,” ka thënë Matoshi.

Shqetësuese mbetet edhe trajtimi i ujërave të zeza në të gjithë vendin.

“Sot aktualisht trajtohen vetëm 5% e ujerave të zeza në terë Kosovën , jemi në përfundim e sipër në Prizren, do të fillojmë gjatë këtij viti në Pejë, dhe në vitin 2019 me Prishtinën”, ka deklaruar ministri Matoshi.

Kosova përfiton shumë pak fonde për mjedisin dhe ky është njëri nga angazhimet kryesore për ministrin Matoshi.

“Ju kemi shkruar disa agjencioneve të ndryshme në mënyre që Kosova të jetë përfituese e fondeve , dhe do të përgatitmi që të kemi përgatitje më serioze për komisionin evropian. Ne përfitojmë vetëm nga vendet që na kanë njohur si shtet, shteti Gjerman përmes GIZ që është mbështetës shumë i madh i Ministrisë së Mjedisit dhe Jaka që është e qeverisë Japoneze dhe USAID dhe projekte të ndryshme që dedikohen për vendin tonë përmes shteteve, dhe jo përmes organizatave që merren me mjedis”, është shprehur ai.

E për vitin e ardhshëm, ministri Matoshi ka treguar se pritet të filloj edhe një projekt prej pesë milionë euro, projekt ky që do të jetë për matjen e cilësisë së ajrit.

“Ky është një projekt që i dedikohet Kosovës dhe janë përgatitjet finale edhe për shpalljen e tenderëve për blerjen e pajisjeve, Javën e kaluar kam pritur z. Petrit Selimi që është Drejtori i MCC në Kosovë, Gjithçka është duke ecur mirë në këtë drejtim, ne si Ministri kemi pasur disa obligime për të cilat jam njoftuar qysh në muajin Gusht nga z.Selimi i kemi përmbushur të gjitha obligimit që ka pasur ministria, dhe tani po presim që në vitin 2019 vetëm ta zhvillojmë këtë projekt të kemi pajisjet tona për matjen e cilësisë së ajrit dhe të kemi një sistem unik edhe të softëer-ve përmes të cilëve do të bëjmë njoftimin e opinionit me gjendjen e ajrit të cilin e ka Kosova”, ka thënë ai.

Ministri Matoshi, ka kërkuar nga qytetarët që mos të përdorin produkte të rrezikshme në kohën e dimrit, duke ju referuara vendimit për ndalimin e thëngjillit.

“Ne më herët e kemi pranuar një shqetësim që peleti që ka hyrë më herët nga Serbia ka qenë po aq i dëmshëm sa edhe thëngjilli, këtë shqetësim ia kam përcjellur edhe ministrit Shala, dhe ministri më ka njoftuar ditët e fundit që më nuk po lejohet peleti i dëmshëm me hy në vendin tonë, dhe peleti që po hynë tani po i plotëson kriteret që të hyjë në Kosovë. Duhet të jemi të vëmendshëm që mos të lejojmë që qytetarëve tonë tu shiten produkte të rrezikshme që kanë ndikim drejtpërdrejte ne ndikim të shëndetit të tyre”, ka thënë Matoshi.

Derisa sqaron masën e cila është venë ndaj qytetarëve të pandergjëshëm të cilët hedhin mbeturina vend e pavend, Ministri ka treguar se tashmë janë parë efektet e para të kësaj mase.

“Po ka filluar të këtë përmirësime , informatat e javës së kaluar i kam që më shumë se 90 gjoba janë shpërndarë qytetarëve të papërgjegjshëm që kanë hedh mbeturina në vende të pa lejuara e kjo nuk është e kënaqshme, edhe pse udhëzimi ka hyrë në fuqi shumë vonë por po pres që në vitin 2019 të kemi zbatushmëri më të madhe të këtij udhëzimi qoftë nga komunat, qoftë nga Policia e Kosovës por edhe nga ne si Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të jemi të fokusuar në këtë dhe besoj se kjo do ta ndal hedhjen e mbeturinave në vende të pa lejuara”, ka pohuar Matoshi.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor gjatë fushatës tre mujore për pastrimin e Kosovës ka larguar 803 deponi ilegale. /arbresh.info/ A.Zeka/

Shpërndaje në rrjete sociale