Përfaqësuesi i shoqërisë civile në dialog mund të jetë Veton Surroi

08:59 | 18 Dhjetor 2018
A Z

Kuvendi i Kosovës miratoi të shtunën mbrëma rezolutën nga Partia Socialdemokrate për krijimin e një ekipi për negociata për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Një vend në ekipin negociator të Kosovës për dialog, Qeveria e ka rezervuar edhe për shoqërinë civile.

E, njohësit e rrethanave politike në vend, thonë se personi që mund ta përfaqësojë shoqërinë civile në dialog është Veton Surroi pasi ai ka përvojë të gjatë politike.

Në një prononcim për arbresh.info, profesori universitar, Donik Sallova, thotë se Veton Surroi do t’i ndihmonte këtij dialogu me përvojën e tij të gjatë politike.

“Besoj që Veton Surroi do të ndihmonte me përvojën e tij të gjatë politike dhe të përfshirjes në procese negociatore që prej viteve 1990-të. Besoj që këtij ekipi i duhet dikush me përvojën e tij, por natyrisht edhe me dijen e tij jo vetëm politike”, deklaron Sallova.

E, analisti politik, Faton Abdullahu, vlerëson se shoqëria civile duhet ta kushtëzoj pjesëmarrjen me praninë e opozitës në këtë dialog.

“Konsideroj se pjesëmarrja e shoqërisë civile në dialogun me Serbinë është e domosdoshme dhe do të jetë produktive në çdo kohë. Por ky parim davaritet në rastin konkret në dialogimin me Serbinë sot, sepse shoqëria civile bëhet pjesë e një Qeverie dhe pushteti e cila në rend të parë nuk e ka shumicën por punon dhe vepron me pakicë e cila parimisht do të thotë shkelje e legjitimitetit dhe demokracisë. Shoqëria civile duhet ta kushtëzoj pjesëmarrjen e saj me praninë e opozitës në këtë dialog”, shprehet ai.

Sipas Abdullahut mungesa e opozitës në dialog nuk kompozohet me shoqërinë civile. Tutje mendon se shoqëria civile së bashku me opozitën duhet të qojnë vendin në zgjedhje të reja.

“Nëse opozita nuk është në këtë dialog nuk duhet të jetë as shoqëria civile. Pushtetarët aktual duhet ta kuptojnë se mungesa e opozitës në dialogun me opozitën nuk mund të kompozohet me shoqërinë civile, sado ekspresive dhe me përvojë që të jetë ajo. Konsideroj se shoqëria civile duhet të jetë shumë më aktive, që bashkë me opozitën ta qojnë vendin në zgjedhje të reja. Vetëm kështu, pas zgjedhjeve të parakohshme, mund të kemi një pushtet dhe qeveri legjitime dhe të denjë e demokratike për të hy në fazën finale të dialogimit dhe për të nxjerrë përfitimet e domosdoshme nga ky proces”, deklaron Abdullahu.

Analisti tjetër, Ramush Tahiri, vlerëson se Veton Surroi ka përvojë të duhur për ta përfaqësuar shoqërinë civile në dialog.

“Konsideroj që Veton Surroi mund të jetë personi që e përfaqëson në mënyrë tipike shoqërinë civile në dialog. Ai për vite ishte ne Ekipin e Unitetit gjithashtu udhëhiqte dy parti politike në të kaluarën ishte deputet, plus publicistë e gazetar i njohur, që sublimon një përvojë të duhur e të dobishme”, shprehet ai.

Kujtojmë se sipas kësaj rezolute, Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti bëhet bashkë kryesues i dialogut me zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj. Këtë rezolutë nuk e kanë përkrahur partitë opozitare si Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje./A.Zeka/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale