Për 46 vite i ka shërbyer arsimit kosovar.
Por, Nebahate Lleshi pas pensionimit merr vetëm 90 euro për punën e bërë.
E as premtimet e bëra për rritje pensioni prej janarit të vitit 2019, nuk i kanë larguar mllefin, madje ish-arsimtarja e gjuhës shqipe këtë rritje e quan lëmoshë, shkruan Arbresh.info.
“ Kjo rritje nuk është rritje por lëmoshë sepse unë dhe shumë shokë e shoqe pensionerë kemi punuar nga 40 e më shumë vite dhe i marrim faktikisht 90 ose 80 euro duke larguar ato 70 euro të pleqërisë, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar gjithashtu se është skeptike se kjo rritje do të ndodhë.
“ Ne pensionistët e kemi ndërtuar Kosovën me të gjithë infrastrukturën e saj, prandaj me këtë rritje nuk jemi të kënaqur fare. Edhe rritja mos të ndodhë sepse nuk do të ndikoj asgjë”, ka shtuar Lleshi.
Madje ajo thotë se të gjitha shpenzimet e saj i mbulon me pension.
Se rritja nuk do të ndodhë është i bindur pensionisti, Isa Berisha.
Berisha i cili është jurist i diplomuar ka thënë se premtimi për rritje është gënjeshtër.
“ Nuk besoj se do të ketë rritje të pensioneve, kjo është edhe gënjeshtër. Me këtë udhëheqje nuk do të ketë asnjë përparim”, ka thënë ai.
Ndryshe ish-juristi ka shprehur nostalgji për kohën e Jugosllavisë.
“ Sistemi në Jugosllavi ka qenë i mire, tash nuk ka asgjë ”, ka shtuar ai.
Ndërsa Hasan Berisha, sekretar i Lidhjes së Pensionisteve të Kosovës ka thënë për Arbresh.info se kanë kërkuar rritje minimale prej 20 deri 30%.
“Kërkesa e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës ndaj organeve të pushtetit dhe të Qeverisë ka qenë për një rritje të dukshme të pensioneve për vitin 2019. Ne kemi kërkuar rritje së paku 20 deri 30, ndërkohë na është kumtuar se është paraparë një rritje prej 15% për pensionistët kontribut pagues ndërsa 20% për pensionet sociale”, ka thënë ai.
Berisha ka shtuar se në kërkesat e tyre ka qenë edhe rritja të pensioneve çdo vit .
“ Ne kërkuar që rritja të jetë dinamike, pra të ketë rritje çdo vit sipas ligjit për skemat pensionale që çdo fund vit të bëhet vlerësimi i rritje së kostos së jetesës dhe të bëhet rritja. Në vitet 2015 deri 2017 nuk ka pas rritje për atë ne kemi kërkuar rritje prej 15% dhe çdo vit të ketë rritje prej 5%”, ka shtuar ai.
Sekretari i Lidhjes së Pensionistëve ka pranuar se kjo rritje nuk është e mjaftueshme.
“ Kjo rritje nuk është e mjaftueshme por është një rritje qe e bën një hap përpara përndryshe pensioni mestar i kategorisë së pensioneve kontribut pagues paraqet vetëm 33% të pagës mesatare në Kosovë, është e patolerueshme dhe nuk paraqet nivelin e duhur krahasuar me pagat “, ka thënë ai.
Por, ndryshe nga moshatarët e tij Berisha nuk ka pranuar të quhet lëmoshë.
“Me këtë pension, pensionistët i plotësojnë nevojat elementare por me e quajt rritjen e pensioneve lëmoshë është vlerësim ekstrem, nuk mund të themi se është lëmoshë. Nëse realizohet premtimi dhe ajo çfarë është paraparë në projektbuxhet atëherë brenda 2019-es nuk kemi baze reale të kërkojmë prapë rritje por ne kërkojmë të realizohen premtime të tjera”, ka shtuar ai.
Berisha është shprehur skeptik për rritjen e pensioneve.
“Derisa te realizohet definitivishte premtimi çdo gjë duhet të marrim me skepticizëm. Në Kosovë ka vende të tjera ku mund të kursehen e jo në pensione”, ka përfunduar ai.
Ndryshe numri i pensionisteve kosovarë çdo ditë ndryshon ndërsa momentalisht llogaritet të jenë rreth 170 mijë.
45 mijë prej tyre janë kontribut-pagues dhe marrin nga 158 deri në 230 euro në muaj në bazë të përgatitjes shkollore ndërsa 125 mijë marrin vetëm pensionin e pleqërisë prej 75 euro në muaj.
Premtimet për rritje pensionesh
Kryeministri i Kosovës, Ramush Hardainaj ka premtuar rritje të pensioneve për pensionistët kosovarë.
“Pra, shihet se i është dhënë përparësi ose prioritet mbrojtjes, rendit, gjyqësorit, është shëndetësia, është arsimi, janë pensionet,” është shprehur Haradinaj në takim me përfaqësues të pensionistëve.
Ndërsa kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli në shtator të këtij viti pati premtuar rritje pensionesh.
“Ky ishte një premtim dhe marrëveshje që kishim bashkë me partnerët e koalicionit dhe jam i lumtur që kjo po realizohet. Falënderoj Kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe Ministrin Bedri Hamza, për kujdesin e veçantë në mbështetje të kësaj kategorie”, ka deklaruar Veseli.
E ministri i Financave, Bedri Hamza, duke komentuar projektbuxhetin e vitit 2019 ka thënë se rritja e pensioneve do të ndodhë për 15 dhe 20%.
“Subvencionet dhe transferet do të rriten për 16 përqind, ose 83 milionë euro, ku mbi 30 milionë janë dedikuar për rritjen e pensioneve bazike dhe kontribut dhënëse…nuk mundet Qeveria e Kosovës të japë lajm më të mirë për kategorinë që është më në nevojë, për pensionistët e Kosovës, sesa rritja prej 15 përqind për pensionet kontribut dhënëse dhe rritja 20 përqind për pensionet bazike”, tha ai.
/arbresh.info/
18 raste me fruth në Shqipëri, përgjatë vitit 2025
Tifogrupi “Shvercerat” lëshon ultimatum për pronarin e Shkup...
Rama dhe Pajaziti diskutojnë bashkëpunimin mes Prishtinës dh...
Trump: Do diskutoj me Netanyahun për vendosje të trupave tur...
Italia konfirmon ndihmën ushtarake për Kievin edhe në 2026
Përpjekjet e Izraelit për të destabilizuar rajonin po rriten...