Partitë në bashkëqeverisje, AAK dhe PDK, dhe dy partitë opozitare LDK dhe Vetëvendosje, kanë komentuar deklaratat e kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiqi, i cili paralajmëroi se kryetarët e zgjedhur në katër komunat veriore, janë sërish të gatshëm për dorëheqje.
Nga opozita,deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, deklaroi se Lista Serbe po tallet me Republikën e Kosovës. Për Telegrafin ajo tha se qëndrimi i Vetëvendosjes ka qenë i qartë kur është diskutuar për kandidatët e Listës Serbe.
“Qëndrimi i VV-së ka qenë i qartë dhe i hershëm në kohën kur diskutohej për certifikimin e kandidatëve të Listës Serbe, fakti që ata sot janë kryetar komunash është goditje e rëndë për Republikën e Kosovës, pasi që janë lejuar të garojnë për zgjedhje kandidatët të cilët nuk e njohin Republikën e Kosovës, dhe kandidatë të cilët dirigjohen nga presidenti serb Vuçiq. Kjo është goditje e madhe ndaj Kosovës, në këtë kuptim secili shtet sovran, secili shtet demokratik nuk do t’i certifikonte kandidatët e tillë”, ka thënë deputetja Haxhiu.
Ajo tha se përkundër kërkesës së Vetëvendosjes që katër kandidatët të mos certifikohen, KQZ përsëri ka bërë një gjë të tillë, ajo shtoi se deklaratat e Listës Serbe për dorëheqje mund të jenë të vërteta.
“Në këtë kuptim deklaratat e tyre mund të jenë ashtu edhe siç kanë deklaruar edhe në fillim, siç edhe kanë thënë ne do të fitojmë dhe do t’i dorëzojmë mandatet, kjo është tallje me Republikën e Kosovës, por që këtë tallje po e bëjnë edhe me papërgjegjësinë e përfaqësuesve politik, Qeverisë, ne nuk do t’i pranojmë por kjo është goditje për Kosovën”, tha ajo.
Kurse, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova tregoi se cili është qëllimi i Listës Serbe.
“Konsideroj se kjo është loja e radhës e Listës Serbe, që ta bllokoj funksionimin e pushtetit lokal në atë pjesë të Kosovës, kjo është strategji e Beogradit zyrtar”, tha Rugova.
Në anën tjetër, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj tha se Lista Serbe nuk është e gatshme për marrjen e përgjegjësive të veta.
“Ne jemi korrekt ndaj të gjitha minoriteteve në Republikën e Kosovës ashtu siç parashihet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por veprimet e Listës Serbe tregojnë mungesë të gatishmërisë dhe seriozitetit në marrje të përgjegjësive që u kanë besuar votuesit e tyre”, tha Lekaj.
Poashtu, sot gjatë ditës edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, ka reaguar ashpër ndaj Listës Serbe.
“Paralajmërimi i dorëheqjes nga kryetarët e sapozgjedhur të komunave të veriut të Kosovës është një akt i pahijshëm dhe i dëmshëm që cenon bashkëjetesën dhe stabilitetin e Kosovës”, ka thënë Veseli.
Ndërkohë, deklaratat për dorëheqje kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq i bëri pas takimit që ka zhvilluar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në Beograd.
Theksojmë se në zgjedhjet e 19 majit, Lista Serbe me kandidatët e saj kanë fituar në katër komunat: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok./Telegrafi
Përleshje me thika në Vragoli, tre persona përfundojnë në nd...
Vjen reagimi i parë nga një zyrtar rus, pas fitores së Peter...
Gjendet pa shenja jete një person në Graçanicë
Krejt çfarë dihet rreth bllokadës së paralajmëruar nga Trump...
Vetaksident në Dobrushë të Istogut, vdes një 32-vjeçar
Të shtëna me armë gjatë natës në rrugën Prishtinë-Ferizaj, c...