Kur mund të ketë zgjedhje dhe a e përkrah Nisma mocionin e opozitës, flet Bilall Sherifi

20:44 | 6 Nëntor 2018
A Z

Nisma Socialdemokrate nuk ka diskutuar ende për mundësinë e rrëzimit të qeverisë. Ky qëndrim është bërë i ditur nga shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Bilall Sherifi.

Sherifi në një intervistë për Gazetën Insajderi ka thënë se aktualisht qeveria po i shërben vendit. Sipas tij, fillimisht duhet të diskutohen problemet brenda koalicionit.

“Edhe kryetari Limaj ka thënë se qeveritë janë për ti shërbyer vendit. Aktualisht qeveria po i shërben vendit. Nëse qeveritë kthehen edhe shndërrohen në mekanizmi që vendi tu shërbejë atyre, atëherë duhet t’i kthehemi sovranit pra popullit. Aktualisht nuk ka ndonjë qëndrim ndryshe te Nisma përpos se duhet të vazhdojë punën qeveria, dhe në momentin që do të kishte zë ndryshe brenda Nismës ne do ta bënim publike”, deklaroi Sherifi.

Klikoni këtu për të parë videon e intervistës

I pyetur për qëndrimin e Zafir Berishës, që ka thënë se do ta jepte votën e 61-të për rrëzimin e qeveris, Sherifi e ka cilësuar deputetin Berisha si të përgjegjshëm.

Ka thënë se ai nuk do të dilte jashtë qëndrimeve të partisë.

“Unë jam i sigurt që Zafir Berisha është deputet i përgjegjshëm dhe nuk do të dilte jashtë kryesisë së partisë. Nëse ajo do të merrte vendim me opozitën do ta bënte, nëse jo sigurisht që ai s’do të votonte”, tha Sherifi.

Duke folur për afatin se kur mund të ketë zgjedhje, shefi i deputetëve të Nismës tha se duhet të ketë një pajtim mes pozitës dhe opozitës.

Sipas tij nëse arrihet marrëveshja finale me Serbinë në pranverë, atëherë në shtator ose tetor mund të ketë zgjedhje.

“Të pajtohemi fillimisht ta bëjmë një platformë, dhe nga momenti që arrihet marrëveshja me Serbinë, pasi po supozophet se marrëveshja mund të arrihet më së largu në pranverën e vitit të ardhshëm ose vjeshtën e vitit të ardhshëm, dhe të ulemi e të bisedojmë se sa muaj pas arritjes kalimit të marrëveshjes të ketë zgjedhje. Nëse ajo do të ndodhte në pranverë,mund të ketë zgjedhje në shtator tetor të vitit të ardhshëm”, tha Bilall Sherifi.

Shpërndaje në rrjete sociale