Kryetari i Kuvendit: Afrimi e Fahriu ishin pushkët e para të lirisë, paraardhësit e UÇK-së

19:00 | 2 Nëntor 2018
M. A.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në 29 vjetorin e rënies së dëshmorëve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, ka theksuar se “jemi krenarë të gjithë ne që kemi pasur rastin t’i njohim personalisht”.

“Sot janë bërë 29 vjet nga rënia e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, por dhembja dhe krenaria për ta, jetojnë me ne. Jemi krenarë të gjithë ne që kemi pasur rastin t’i njohim personalisht. Ata ishin pushkët e para të lirisë, paraardhësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nuk do të harrojmë asnjëherë sakrificën dhe kontributin e tyre për lirinë e Kosovës”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Kujtojmë:

Sot është shënuar 29 vjetori i rënies së dëshmorëve, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, të cilët u vranë në bodrumin e një banese në Lagjen ”Bregu i Diellit”,  në Prishtinë. Familjarët e tyre shprehen krenarë për veprën dhe frymën për lirinë që lanë Afrim Zhitia e Fahri Fazliu për gjeneratat e reja. Megjithatë, ata konsiderojnë se institucionet e vendit nuk kanë bërë aq sa duhet për dëshmorët dhe familjarët e tyre

Më 2 nëntor 1989 kur u vranë, Afrim Zhitia ishte 24 vjeç, ndërsa Fahri Fazliu 27 vjeç. Homazhe janë bërë edhe në fshatin Llugë të Podujevës, pranë obeliskut të heroit Afrim Zhitia, si dhe te përmendoret e heronjve Fahri dhe Bahri Fazliu, në fshatin Llaushë të Podujevës.

Për të nderuar veprën dhe sakrificën e heronjve, Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut, në 29 vjetorin e rënies së tyre, homazhe kanë bërë edhe krerë të institucioneve shtetërore, pikërisht te vendi ku ata ranë në një ballafaqim të drejtpërdrejtë që patën kundër forcave policore ushtarake serbo – jugosllave. Po ashtu në këtë përvjetor, në ambientet e Qeverisë së Kosovës është lansuar edhe pulla postare për heronjtë, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu.

 

Shpërndaje në rrjete sociale