Kosova dështoi të ndjekë Dikoviqin për masakrën në Drenicë

08:07 | 25 Nëntor 2018
A Z

Mos anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, dhe dështimi për të siguruar mbështetjen edhe nga përkrahësit e fuqishëm të shtetësisë së Kosovës, ka pamundësuar ndjekjen penale të, Ljubisha Dikoviq.

Aktualisht, Dikoviqi është shef i shtabit të Ushtrisë Serbe, e që në kohën e luftës në Kosovë ka qenë komandant në brigadën 37 të motorizuar.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj, në një intervistë për arbresh.info thotë se Dikoviqi duhet të japë llogari.

“Masakrat që janë bërë në Drenicë përgjegjës kryesor në hierarkinë komanduese ushtarake në kohën e luftës është Gjenerali Dikoviq, ka qenë komandat i brigadës 37 të motorizuar dhe përgjegjësi kryesor për veprimet ushtarake dhe krimet që janë bëre në atë zonë. Ai vazhdon pa një problem ta udhëheq ushtrinë Serbe ai duhet të jap llogari se q farë ka ndodhë dhe ku ka ndodhë kush i ka bëre ato krime që ndërlidhen me zonën qe ai ka vepruar në kohen ku kanë ndodhë krimet”, është shprehur Gjetaj për arbresh.info.

Ditë më parë, Kosova nuk arriti të marrë numrin e mjaftueshëm të votave për anëtarësim në organizatën më të madhe policore.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe e gjithë diplomacia serbe, së bashku me përkrahës të saj, siç është Rusia, fituan betejën për të mbrojtur rreth pesë mijë serbë që kanë marrë pjesë në luftën e vitit 1999./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale