Delegacioni i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), i drejtuar nga kryesuesi Blerim Isufaj, ka filluar sot një vizitë në institucionet e drejtësisë së Francës, që zhvillohet në kuadër të projektit të Binjakëzimit të BE-së.
Në njoftimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës thuhet se qëllimi i vizitës është njohja me praktikat e Francës në rekrutimin, transferimin, avancimin dhe vlerësimin e performancës së prokurorëve. Për më tepër, delegacioni i KPK-së do të njoftohet edhe me trajnimin e prokurorëve dhe proceset e administrimit, përfshirë resurset buxhetore dhe administrative të sistemit prokurorial.
Në këtë kuadër, gjatë ditës së sotme janë realizuar vizitat në Gjykatën e Lartë të Parisit dhe në Këshill, ku janë njoftuar me misionin, mandatin dhe funksionimin e këtij institucioni.
Gjatë ditëve në vijim, do të realizohen edhe vizita në institucionet kryesore të administrimit të sistemit të drejtësisë, siç janë: Drejtoria për Shërbime Gjyqësore në Ministrinë e Drejtësisë, Njësia për Emërim, Etikë dhe Disiplinim, Inspeksioni i Përgjithshëm i Shërbimeve Gjyqësore, Drejtoria e Çështjeve Penale, Prokurorinë e Përgjithshme pranë Gjykatës së Kasacionit dhe në Shkollën e Magjistraturës (ENM).
Në përbërje të delegacionit janë anëtarët e Këshillit Prokurorial, Drejtori i Sekretariatit dhe ai i Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë, përfshirë edhe zyrtarë që mbështesin Komisionin për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve.
Këshilli synon që praktikat e mira nga kjo vizitë dhe vizitat e tjera t’i shfrytëzojë në funksion të bërjes së politikave, strategjive dhe vendimeve për avancimin e sistemit të administrimit, menaxhimit, llogaridhënies dhe mbikëqyrjes së sistemit prokurorial të Kosovës, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Tërnava takohet me Kryetarin e Dijanetit të Turqisë, flasin ...
Prokuroria malazeze jep detaje rreth vrasjes së trefishtë ...
Kosova shpall organizatë terroriste Gardën Revolucionare të ...
Haxhiu ndan detaje nga takimi me Whitaker
Fjalët që Leonardi do t’ia thoshte Liridonës: “Motër, amanet...
OKB në Kosovë mirëpret aktgjykimin në rastin e Liridonës