Greva, protesta e kërcënime për bojkotim mësimi e përcollën arsimin kosovarë gjatë këtij viti.
E veç nismave te vogla nuk pati përpjekje për ngritje të cilësisë. Kështu kanë vlerësuar njohësit e çështjeve të arsimit në Kosovë.
Rinor Qehaja nga Instituti i arsimit “EdGuard” ka deklaruar për arbresh.info se gjatë 2018-es në Kosovë nuk është parë ndonjë përmirësim në cilësinë ne arsim.
“Përtej retorikës politike për përmirësim të arsimit, 2018-ta nuk ka sjellë ndonjë ndryshim rrënjësor që do të mund të përmirësonte cilësinë, e aq që do të mund të ketë me një çasje të tillë të menaxhimit dhe përkushtimin për arsimin. Suksesi i qeveris në fushën e arsimit, mund të matet lehtësisht me rishikim të realizimit të objektivave qeverisëse për arsimin, pra atë se çka është premtuar, dhe cila është situata në terren. Përtej një vullneti të mirë për përmirësim të arsimit, është prioritizimi i arsimit, përfshirë edhe në buxhet, që do të mund të sjelltë eventualisht përmirësim”, ka thënë ai.
Qehaja ka thënë gjithashtu se cilësia jo e mirë është pasojë e jo llogaridhënies dhe mungesës së mbikëqyrjes.
“Në arsimin në vend nuk është problem sistemi, por llogaridhënia në zbatim, dhe atë përfshirë të të gjitha palët, nga mësimdhënësit deri në MASHT. Sikur të gjithë akterët të ndjenin përgjegjësi dhe llogaridhënie dyshoj që përkushtimi dhe jo cilësia do të ishte si është sot. Nuk besoj që ka mësimdhënës jo të mirë, por ka mësimdhënës, që në mungesë mbikëqyrje nuk përformojnë denjësisht në klasë. Sikurse nuk besoj që ka politika jo të mira, por në mungesë të mbikëqyrjes, shumë pak po të njëjtat zbatohen”, ka vlerësuar ai.
Ai po ashtu ka thënë se është i vështirë listimi i sukseseve pasi ka pas vetëm iniciativa të vogla.
“Nuk mund të listojmë diçka thelbësore me ndonjë impakt të madh që të mund të e etiketojmë si sukses, iniciativa të vogla për ndryshim, janë jo signifikante që të mund të sjellin përmirësim e nevojshëm. Rikujtoj që qeveri të ndryshme vinë me qëllime të ndryshme dhe proklamojnë ndryshime, mirëpo ndryshimi i vërtet vazhdon të mos jetë prezent”, ka përfunduar Qehaja.
Edhe njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, ka thënë për arbresh.info se arsimi ne nivelin para universitar përballet me problemet më të mëdha.
“Në sistemin e arsimit parauniversitar cilësia vazhdon të jetë problemi më i madh. Brenga më e madhe është kurrikula e re, e cila ka hyrë në vitin e dytë të zbatimit pa tekste shkollore përkatëse dhe pa ndonjë mbështetje për mësimdhënësit që e zbatojnë. Meqë mungon monitorimi i zbatimit të kurrikulës, për momentin askush nuk e di nëse kjo kurrikulë do të prodhojë përmirësim ose përkeqësim të cilësisë së arsimit. Problem tjetër është pajisja e mangët e shkollave me mjete konkretizimi, përfshirë pajisjet teknologjike.
Por Pupovci ka thënë se ka përmirësim në nivelin parashkollor.
“Kosova ka një përfshirje të lartë në të gjitha nivelet e arsimit, përveç në edukimin parashkollor, ku ka pasur përmirësime gjatë vitit 2018. Po ashtu, janë vërejtur përmirësime edhe në menaxhimin e provimit shtetëror të maturës, ku ka pasur shumë më pak raportime për kopjime krahasuar me vitet e kaluara”, ka shtuar ai.
Ai ka shtuar gjithashtu se Qeveria nuk ka marrë iniciativa për përmirësim afatgjatë të cilësisë në arsim.
“Në përgjithësi, Qeveria ka qenë më shumë e përqendruar në adresimin e problemeve që i janë imponuar, siç ka qenë rasti me ligjin për mësimdhënësit e viteve të 90-ta, ose në marrjen e masa që nuk sjellin ndonjë përmirësim të gjendjes në arsim siç është përgatitja e nxënësve për testin PISA. Ndërkaq, nismat për përmirësim afatgjatë sikur i janë lënë vullnetit të donatorëve gjë që nuk është në rregull, pasi u bënë 16 vjet që institucionet e Kosovës kanë autorizime të plota për menaxhimin e sistemit të arsimit”, ka shtuar ai.
E rreth përmirësimit të cilësisë, Pupovci ka dhënë disa shembuj.
“Cilësia e arsimit nuk mund të përmirësohet me masa urgjente, por vetëm me punë sistematike, e cila kërkon koherencë dhe këmbëngulje. Për shembull, nëse shteti ka vendosur ta zbatojë kurrikulën e re në shkolla, atëherë duhet të organizohet një sistem i mbështetjes për mësimdhënësit që e zbatojnë atë, të sigurohen librat dhe mjetet e konkretizimit, si dhe të bëhen analiza për të konstatuar nëse kjo kurrikulë e çon arsimin në rrugë të drejtë ose ka nevojë për ndryshime. Nëse është përmirësuar menaxhimi i provimit të maturës, tani duhet të analizohen rezultatet e tij për të nxjerrë përfundime se në cilat lëndë ka probleme, cilat shkolla punojnë më mirë e cilat më keq. Dhe, kështu duhet të veprohet për të gjitha masat që mendohet se e sjellin ndryshimin, e të cilat tanimë kanë gjetur vend në dokumentet strategjike për arsimin dhe janë të njohura për të gjithë”, ka përfunduar ai.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë, Rrahman Jashari ka thënë për arbresh.info se cilësia nuk përmiresohet me deklarata.
“As edhe një herë njerëzit nuk duhet të jenë të kënaqur me arritjet që kanë bërë, por duhet të angazhohen për të shtuar arritjet. Pra, cilësia në arsim është kjo që është dhe për të ngritur vazhdimisht atë nuk mjaftojnë deklarata se arsimi është prioritet, por duhet shtuar mjete buxhetore për të përmirësuar kushtet e punës në shkolla sepse ende mësimdhënësit punojnë me shkumës e shpuzë në mungesë të mjeteve adekuate për punë. Po ashtu do theksuar se në përpjekje për ngritjen e vazhdueshme të cilësisë mësuesi nuk duhet të mbetet vetëm , por të ndihmohet nga prindërit dhe institucionet dhe nga vetë nxënësit”, ka thënë ai.
Jashari, mos futjen në përdorim të teksteve shkollore e ka konsideruar si dështimin më të madh.
“Mendojmë se një dështim është që nuk u arrit që në këtë vit shkollor që jemi të jenë në përdorim tekstet shkollore që është menduar të botohen dhe të jenë ndihmesë në realizimin e kërkesave të Kurikulit aktual”, ka thënë ai.
E për zgjidhje të probleme të arsim dhe përmirësim të cilësisë, Jashari ka kërkuar bashkëpunim mes Institucioneve të arsimit.
“Akademia e Shkencave , MASHT-I dhe njohësit e arsimit duhet të bashkëpunojnë ngushtë dhe ta krijojnë një strategji nacionale të arsimit e jot ë bazohemi vazhdimisht në eksperiencat e vendeve të tjera sepse shpesh është vërejtur se këto eksperienca nuk është lehtë të zbatohen në arsimin e Kosovës”, ka përfunduar, kryetari i SBASHK./Agnesa Çitaku/Arbresh.info/
Ambasada britanike përgëzon KQZ-në për procesin e qetë zgjed...
Aktakuzë ndaj 21 personave për vrasjen e 42 civilëve në Reça...
Aksident me teleferik në Itali, 100 persona shpëtohen me hel...
Rama: Do të ishte mirë të kemi një mbledhje mes dy qeverive,...
Ngjarje e rëndë në Pejë, e konfirmon policia dy të rinjë të ...
Numërohen mbi 40% e vendvotimeve- këto janë pesëshet më të v...