Gjendja jo e mirë në sektor të ndryshëm ka shtyrë që muajt e fundit nga sindikatat e këtyre sektorëve të paralajmërohen protesta, për shkak të mosrealizimit të kërkesave të tyre.
Protesta të paralajmëruara kemi pasur nga sektorë si shëndetësia, arsimi, policia, zjarrfikësit, pasi që kërkesave të tyre për paga e kushte më të mira të punës vetëm u ishin dhënë premtime por, s’kishte pasur ndonjë rezultat.
Përfaqësuesit e shoqatave të këtyre sektorëve në çdo protestë kërkonin që të kenë takime me kryeministrin e vendit për të folur për këto kërkesa e që në disa raste këto takime edhe ishin mundësuar.
Në një intervistë për portalin arbresh.info, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini ka folur për këto çështje duke thënë se punëtori çdoherë kërkon atë që është me ligj.
Ajdini ka thënë se nëse ekziston vullneti nga dy palët atëherë realizohet çdo gjë.
“Fatkeqësia jonë është që po shkojmë në premtime e në realizime jo. Kam kërkuar nga qeveritarët tanë që më mirë të ma realizojnë një kërkesë se sa 100 fjalë të mira të mi thonë. Tani paralajmërimi për protesta vije nga zjarrfikësit të cilët nuk kanë status të përcaktuar definitiv. unë kërkoj nga Qeveria që kërkesat e tyre të realizohen. Nuk kam dëshirë që vetëm e vetëm me protesta kërkesat e tyre të realizohen. Shumë më mirë kishte me qenë me anë të dialogu, me anë të një marrëveshje, sesa instanca e fundit është protesta dhe greva. Punëtorët çdoherë kanë të drejtë dhe nuk kërkojnë diçka jashtë ligjit, por të gjitha që janë të parapara me ligj dhe që janë të realizuara, vetëm duhet të ekzistoj një vullnet i mirë”, ka thënë ai.
Duke u bazuar në këto paralajmërime për protesta, Ajdini ka thënë se vendi është duke shkuar drejt një krizë sociale e cila sipas tij do të thellohet në të ardhmen.
“Kriza Sociale do të vije në të ardhmen. Nëse bëhet liberalizimi i vizave, kriza do të thellohet. Nuk do të ketë zhvillim ekonomik por të rinjtë do të ikin jashtë vendit. Por, atëherë lind se po realizohen kërkesat e Serbisë që të shpërngulen qytetarët. Kësaj pune po i kontribuojnë edhe politikanët tanë, sepse deri më tani nuk kanë një synim të zhvillimit ekonomik, ose nuk është debatuar asnjëherë si të dalin nga kjo krizë në aspekt ekonomik. Megjithatë investitorët që investojnë këtu tek ne i kanë larguar për përfitime të veta, kanë tentuar ta marrin mito dhe ata nuk kanë investuar”, ka theksuar ai duke shtuar se qeveritarët tanë kanë qenë shkurt pamës.
“Qeveritarët tanë nuk kanë qenë fare vizionar që së pari të zhvillohet ekonomia, dhe pastaj vijnë të mirat e këtij vendi. Çdo qeveritar që vije në këtë vend duhet të mendoj për rininë ose për trurin, e jo të na ik në perëndim. Kush do të mbes këtu, kush do të punoj. Pastaj punëdhënësit do t’ia dinë vlerën punëtorit se sa i vlefshëm është. Apeloj tek punëdhënësit që pagat të ngritën sa më parë ndaj punëtorëve që mos t’u ngelin në pagë minimale, por të dyfishohen që ta kenë një jetë të dinjitetshme, një pagë të dinjitetshme që të mund të mbajnë familje”, ka thënë ai./V.Berisha/arbresh.info
Ja çka i ndodh trupit nëse flini me çorape
Era Istrefi elektrizon skenën e Big Brother VIP Kosova
Abdixhiku në Prishtinë: Zgjidhja për Kosovën është LDK
Upamecano mes Bayern Munich, Real Madrid e Paris Saint-Germa...
Goditi me thikë tri gra në Paris, policia franceze kap 20 vj...
Ish-komandanti i Forcave Detare të Shqipërisë: Banjska ndrys...