Kërkohet Fond Humanitar për fëmijët kosovar të kthyer nga Siria

08:19 | 5 Maj 2019
A Z

Autoritetet kosovare kanë kthyer 110 persona në mënyrë të organizuar që kishin shkuar në zonat e konfliktit në Siri për të luftuar për të ashtuquajturin, “Shteti Islamik”, IS.

Kthimi i tyre u bë nga Turqia me një aeroplan që mbante flamurin amerikan. Qytetarët e kthyer janë gra dhe fëmijë të luftëtarëve shqiptarë që ishin të përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme përkrah IS-it. Në mesin e të kthyerve ishin edhe katër ish-luftëtarë të IS-it, shkruan Arbresh.info.

Këtë konfirmimin e bëri drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në një konferencë për medie. “Nga zona e konfliktit në Siri janë kthyer në Kosovë 110 shtetas kosovarë, prej tyre katër luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë, përfshirë këtu edhe nëntë fëmijë që kanë humbur prindërit në luftë”, pati thënë Rashit Qalaj.

Sipas tij, në zonën e konfliktit ende kanë mbetur rreth 30 luftëtarë, 49 gra dhe 8 fëmijë.

Të kthyerit nga Siria, ishin strehuar në ish-bazën ushtarake në fshatin Vranidoll, në periferi të Prishtinës, ku tash njihet si Qendra e të Huajve, këta 110 persona kishin qëndruar 72 orë, në masa të rrepta të sigurisë.

Eksperti i sigurisë, Avni Islami, në një prononcim për arbresh.info u shpreh së të kthyerit nga shteti islamik është një hap i drejtë i institucioneve kosovare.

Kthimi i të dyshuarve ose qytetarëve të Republikës së Kosovës nga vatrat e luftës në vendet arabe, më konkretisht  në Siri, mendoj që është një hap i qëlluar dhe një hap i drejtë i institucioneve të Kosovës dhe ushtrisë amerikane, sepse pjesa dërmuese e atyre të kthyerve janë gra e fëmijë dhe një numër i vogël i burrave”, u shpreh Islami, për Arbresh.info.

Islami, tha se të kthyerit nga Siria, duhet të dënohen me ligj.

Mendoj se secili qytetar i Republikës së Kosovës, kanë të drejtën që të kthehen në vendin e vet, pavarësisht asaj që Kuvendi i Republikës së Kosovës, e ka përcaktuar me ligj se secili dështon në luftërat jashtë Republikës së Kosovës, do të dënohet”, është deklaruar eksperti i sigurisë, Avni Islami .

Ai shtoi se katër burra, prej të kthyerve janë të arrestuar nga Policia e Kosovës.

Islami reagon edhe ndaj deklaratës së shtetit francez

Islami përmendi edhe një fakt për qeverinë franceze që kishte refuzuar kthimin e qytetarëve të saj, në vendin e tyre.

Mendoj që këta të kthyerit nuk paraqesin rrezik për sigurinë e vendit tonë dhe po ashtu jam kundër asaj se çfarë kanë deklaruar disa media prestigjioze franceze, dhe me vetë faktin që Qeveria e Francës, ka refuzuar që të kthehen qytetarët e saj, mirëpo analogjia me Francën, me Anglinë është e pamundur për shkak se në këto vende janë shtetas francez që janë qytetar arab, me shtetësi franceze”, u shpreh Islami.

Gjithashtu, eksperti i sigurisë, Avni Islami, tha se duhet ndihmuar këtyre grave dhe fëmijëve, në mënyrë që t’i kthehen normalitetit të jetës, sepse ata ose janë penduar ose janë manipuluar, dhe kanë qenë të detyruar të shkojnë pas burrave të tyre.

Të kthyerit janë shtetas të Kosovës, dhe të gjithë ata që kanë mundësi t’i ndihmojnë duhet që të japin maksimumin, në mënyrë që ata gra e fëmijë, por edhe ata të dyshuara, njëherë duhet që mos të ju shqiptohet masa e pafajësisë, në mënyrë që të socializohen dhe të risocializohen në mënyrë që t’i kthehet normalitetit të jetës, sepse ata ose janë penduar ose janë manipuluar, dhe kanë qenë të detyruar të shkojnë pas burrave të tyre, kështu që besoj që veprimi i autoriteteve të Kosovës në bashkëpunim me amerikanët, është vendim i drejtë dhe duhet që edhe ajo pjesa tjetër që kanë mbetur atje të kthehen”, u shpreh Islami.

Më tutje ai shtoi se drejtësia duhet të bëjë punën e vetë, ata që kanë kryer vepra duhet dënuar e ata që nuk kanë kryer vepra duhet të iu kthehen jetës së normalitetit.

“Drejtësia duhet të bëjë punën e vet, dhe nëse vërtetohet që dikush nga ata ka kryer vepra terroriste dhe vepra penale, në vendet arabe, me ata do të merret drejtësi, e ata që janë të pafajshëm gra, burra e fëmijë, të lirohen dhe të ju kthehet jetës së normalitetit”, u shpreh Islami, për Arbresh.info.

Duhet krijuar një Fond Humanitar për fëmijët e kthyer nga luftrat islamike

Gjithashtu eksperti i sigurisë, Avni Islami, është shprehur se për fëmijët që janë kthyer nga zonat e luftës, duhet ndihmuar dhe duhet të krijuar një Fond Humanitarë për ta, pavarësisht që shtetit do t’i kushtojë shumë.

Institucionet përkatëse dhe përgjegjëse duhet të merren me ata  fëmijë, që ata të socializohen dhe të risocializohen, pavarësisht kostos që do të kushtojë, që ata t’i kthehen jetës së normalitetit. Madje edhe nëse është e nevojshme të formohet edhe një fond humanitar, në mënyrë që ata fëmijë, e ata gra që kanë mbetur pa burra me fëmijë nën përkujdese të këtyre grave, e t’i kthehen jetës normale në vendin e tyre”, u shpreh Islami./arbresh.info//Elmedina Ballazhi/

Shpërndaje në rrjete sociale