Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka mbërritur në Arabinë Saudite, ndërsa Shtetet e Bashkuara synojnë të mbledhin mbështetje për sanksione të reja kundër Iranit.
Vizita në Rijad, e më pas në Jeruzalem dhe Aman, vetëm dy ditë pasi Pompeo bëri betimin, vjen ndërsa presidenti Trump pritet të vendosë nëse do të tërhiqet apo jo nga marrëveshja bërthamore me Iranin, e nënshkruar në vitin 2015, e që vazhdon të mbështetet nga fuqitë europiane.
“Irani destabilizon të gjithë rajonin. Ai mbështet milicitë dhe grupet terroriste. Është edhe një tregtar armësh për rebelët Houthi në Jemen, e mbështet po ashtu regjimin vrasës të Assadit në Siri”, tha Pompeo.
Pompeo, në fakt garantoi Arabinë Saudite se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga marrëveshja e nënshkruar nga paraardhësi i Trumpit, Barack Obama, nëse nuk do të ketë një marrëveshje me partnerët europianë për ta përmirësuar atë, deri në masën që nuk do të lejojë asnjëherë Republikën Islamike të shtijë në dorë një armë bërthamore.
Donald Trump e ka quajtur atë marrëveshjen më të keqe të nënshkruar ndonjëherë dhe ka kërcënuar se do të rivendosë sanksionet mbi Iranin, nëse marrëveshja nuk do të përmirësohet.
E në fakt, rifillimi i sanksioneve do ta vriste marrëveshjen. Rusia, Kina, Gjermania, Britania dhe Franca, që janë palët e tjera nënshkruese, e shohin marrëveshjen si mënyrën më të mirë për të penguar Iranin që të sigurojë armë bërthamore./tch/
Vedat Muriqi më i miri në Evropë për gola me kokë, barazon n...
Stuhia godet Portugalinë, shkon në 16 numri i viktimave
Konferenca e sigurisë në Mynih nxori në pah dallimet SHBA-Ev...
Nga Trump dhe Starmer, te Bill Gates dhe Kim Kardashian, Pro...
Zemra e njeriut mund të rigjenerojë qelizat e veta muskulore...
Napoli dhe Roma ndajnë pikët në derbin e javës në Serie A