Teksa organizata terroriste e Shtetit Islamik në Siri dhe Irak (ISIS) po tenton t’i rikthejë territoret e humbura në Siri, ditëve të fundit ka ndodhur një tentim grusht-shteti ndaj regjimit të Kalifit Abu Bakr al-Baghdadi.
Siç raporton Observatori i të Drejtave të Njeriut në Siri (SOHR), luftime brenda Shtetit Islamik kanë ndodhur ditëve të fundit, në zonën e quajtur Teda Al-Kala, e cila ndodhet mes qyteteve Al-Sha’afa dhe Hajin.
Grusht-shteti në ISIS është tentuar nga 50 anëtarë të kësaj organizate terroriste – shumica prej tyre me origjinë tuniziane – të cilët kanë filluar të kundërshtojnë organizatën pasi pretendojnë se Kalifi al-Baghdadi dhe udhëheqësit e tjerë janë të pafe.
Si pasojë e një kundërpërgjigje ushtarake të regjimit të Kalifit al-Baghdadi, gjashtë anëtarë të këtij fraksioni brenda ISIS-it janë vrarë.
Këtë tentim-grushteti dhe atentati ndaj Kalifit al-Baghdadi, e ka konfirmuar edhe një burim i Insajderit brenda organeve të sigurisë së Kosovës. Sipas burimit, është rikonfirmuar se në Shtetin Islamik ka pasur një tentim grushtshteti nga një grup brenda organizatës, i cili ka marrë nën kontroll disa vende në lindje të qytetit Dayr al-Zour.
“Ky grup përbëhet nga 50-100 tunizianë, të cilet po e akuzojnë Shtetin Islamik se nuk është mjaft radikal dhe se Shteti Islamik dhe liderët janë të pafe. Nderkohë vet Shteti Islamik po i akuzon ata per Hawarij dhe rebelim kundër Kalifatit dhe ka filluar ta shtyp këtë grup dhe të dergoj forca në vendet e kapura nga grupi”, ka thënë burimi.
Megjithatë, sipas këtij burimi, shqiptarët që janë pjesë e Shtetit Islamik i kanë qëndruar besnik al-Baghdadit dhe regjimit të tij.
“Shqiptarët jane kombi ma besnik i Al-Baghdadit”, ka thënë i njëjti burim. “Këtu bëhet fjalë për tunizianë, që nuk është hera e parë që tunizianë më radikal sesa vet ISIS-i po mundohen ta rrëzojnë Al-Baghdadin”.
Grupi që tentoi grusht-shtet ndaj al-Baghdadit quhet “Hazimi” dhe këtë emërtim e kanë marrë nga një hoxhë tekfirist, i cili në Arabinë Saudite është i burgosur.
“2-3 shqiptarë të kësaj rryme dyshohet se janë ekzekutuar në vitet 2015-2016 nga shqiptarët komandues në Shtetin Islamik për shkak te ‘ekstremizmit’”, ka thënë burimi i Insajderit brenda organeve të sigurisë së Kosovës.
Ai, po ashtu ka thënë se kjo rrymë ka deportuar edhe në vendet shqipfolëse. Një përkrahës i kësaj rryme është shqiptari Ridvan Memishi. Madje, Memishi në Facebook po e feston tentimin për grushtshtet dhe po lutet për anëtarët e këtij fraksioni në ISIS.
Postimi i Ridvan Memishit në Facebook të martën
Mbi 300 kosovarë i ishin bashkuar Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, në themelimin e organizatës më 2014, ndërkaq afër 80 prej tyre dyshohet se janë vrarë gjatë luftimeve në territoret e Sirisë dhe Irakut.
Momentalisht, raportohet se mbi 100 kosovarë të tjerë janë ende pjesë e ISIS-it.
Në gusht të vitit të kaluar, në territorin e ISIS-it ishte vrarë udhëheqësi i luftëtarëve shqiptarë të organizatës, Lavdrim Muhaxheri, i cili në vitet e fundit kishte qenë njëri prej eksponentëve të njohur të të Shtetit Islamik.
Ai ka vite që ka qenë në vijat e frontit, bashkë me pjesëtarë të tjerë të këtij grupi terrorist.
I njohur si “Kasapi i Ballkanit”, ai kishte bërë thirrje disa herë përmes rrjeteve sociale ndaj të rinjve që të bashkohen me ISIS në Siri dhe të luftojnë atje.
Flick flet rreth lëndimit të Yamal
Përfshihet nga flakët banesa në Korçë, shkak dyshohet një sh...
Sulmi i madh rus ndaj Ukrainës vret katër persona
Aplikoi me patentë-shofer serb fals për konvertim në të Koso...
Kalim ilegal i kufirit në Han të Elezit, ndalohen tre person...
Rritet çmimi i naftës në Kosovë