Sot mbahet provimi pranues për vitin akademik 2015/2016

09:32 | 20 Korrik 2015
Arbresh.info

Në shumicën e njësive akademike të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, sot do të mbahen provimet pranuese për studentët e rinj.

Për vitin akademik 2015/2016 provimet pranuese sot me fillim nga ora 09:00 mbahen në këto fakultete: Fakultetin Filozofik, Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, Fakultetin e Filologjisë, Juridik, Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Fakultetin e Arteve të Bukura, Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinës, Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, Fakultetin e Edukimit dhe FSHA – Ferizaj.

Kurse në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike dhe Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike do të mbahen nesër në orën 11:00. Ndërkohë, provimet pranuese në Fakultetin Ekonomik dhe atë të Mjekësisë do të mbahet të martën, në orën 09:00, raportojnë mediat.

Shpallja e rezultateve pritet të bëhet deri më 23 korrik në fakultetet përkatëse.

Ndërkaq, në afatin e parë të konkursit për vitin akademik 2015/2016, Universiteti i Prishtinës do të regjistrojë 7880 studentë, prej të cilëve 7330 studentë të rregullt dhe 550 me korrespondencë.

Shpërndaje në rrjete sociale