Rusia kundër ndryshimit të marrëveshjes bërthamore me Iranin

Russian Foreign Minister Sergey Lavrov speaks during his annual roundup news conference summing up his ministry's work in 2017 in Moscow, Russia, Monday, Jan. 15, 2018. (AP Photo/Alexander Zemlianichenko)

00:01 | 16 Janar 2018
Trina Galanxhi

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha sot se Rusia nuk e mbështet thirrjen e Presidentit amerikan Donald Trump për të rinegociuar marrëveshjen ndërkombëtare që kufizon programin bërthamor të Iranit.

Të premten Presidenti Trump nuk i vendosi sanksione të reja Iranit por tha se Kongresi dhe partnerët europianë kishin 120 ditë afat për të gjetur mënyra për të rregulluar ato që ai i quajti “të meta shkatërrimtare” të marrëveshjes.

Sot ministri i jashtëm rus tha se nëse zoti Trump vazhdon me kërcënimin e tij për t’u tërhequr nga marrëveshja nëse nuk bëhen ndryshime, do të ketë pasoja të paimagjinueshme me Iranin që do ta konsideronte veten jo më të kufizuar nga kërkesat e marrëveshjes.

Presidenti Trumpi e ka kritikuar marrëveshjen e Iranit duke e cilësuar si një akord që i bën lëshime regjimit iranian, pasi sipas tij lë në fuqi shumë nga programi bërthamor i Iranit. Shtetet e Bashkuara kanë thënë gjithashtu se provat me raketa balistike të Iranit janë kundër frymës së marrëveshjes.

Në tekstin e marrëveshjes bërthamore, provat me raketa balistike nuk ndalohen shprehimisht. Por dokumenti u mbështet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara me një rezolutë që i bën thirrje Iranit të mos ndërmarrë ndonjë veprim që lidhet me raketat balistike.

Por zoti Trump dëshiron një variant të ri të marrëveshjes bërthamore që mbulon dhe çështjen e raketave balistike.

Irani këmbëngul se ka të drejtë të vazhdojë programin e saj të raketave dhe ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po punojnë për të minuar marrëveshjen bërthamore./VoA/

Shpërndaje në rrjete sociale