Sindikatat policore u dakorduan edhe për dhënien e mbështetjes së ndërsjellë në rastet kur çdo anëtar i cilës do sindikatë ka nevojë për ndihmë kur ndodhet në territorin e Maqedonisë dhe Kosovës.
Sot në Shkup udhëheqësit e Sindikatave të Policisë së Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës nënshkruan Memorandum bashkëpunimi me anë të së cilës u zotuan për mbështetje të ndërsjellë, formim të trupave dhe komision të përbashkët si dhe çështjeve të tjera me interes të përbashkët, raporton Anadolu Agency (AA).
Bazuar në nënshkrimin e memorandumit, sindikatat policore të të dyja vendeve fqinje u dakorduan edhe për dhënien e ndihmës dhe mbështetjes së ndërsjellë në rastet kur çdo anëtar i cilës do sindikatë ka nevojë për ndihmë kur ndodhet në territorin e Maqedonisë dhe Kosovës.
Kryetar i Sindikatës së Maqedonisë, Aco Antovski, tha se Kosova dhe Maqedonia kanë probleme të përbashkëta në kushtet e punës së policisë së të dyja vendeve fqinje, kushte të cilat, sipas tij, janë komplekse.
Antovski theksoi se bashkëpunimi mes dy sindikatave do të kontribuojë në përmirësimin e kushteve të punës së policive të të dyja vendeve, ndërkohë nuk përjashtoi edhe mundësinë e bashkëpunimit me sindikatat e vendeve tjera të rajonit për të ardhmen.
“Sot nënshkruajmë një memorandum për bashkëpunim që bazohet në parimet e kolektivitetit, profesionalizmit, bashkëpunimit dhe mbështetjes së ndërsjellë si dhe respektimit të të gjithë anëtarëve të të dy sindikatave, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike dhe politike”, deklaroi Antovski.
Nga ana tjetër, kryetarja e Sindikatës së Policisë së Kosovës, Valbona Kamberi-Hoxha, tha se ky është një hap i ri për të të dy sindikatat në drejtim të bashkëpunimit të ndërsjellë për një të ardhme të largët.
“Ky memorandum ka një vlerë shumë të madhe si nga ana e Sindikatës së Policisë së Kosovës, gjithashtu edhe nga ana e Sindikatës së Policisë së Maqedonisë, sepse do të na hap rrugë jo vetëm në profesionalizëm, por edhe në bashkëpunim të ndërsjellë në rastin e organizimit sindikal, qoftë të trajnimeve, bashkëpunimit të mëtejshëm, por qoftë edhe në organizimet e fondeve të përbashkëta të cilat do të jenë në favor të të dy sindikatave”, deklaroi Hoxha.
Vuçiq prezanton strategjinë “Serbia 2030”, përfshin Kosovën ...
Putini kërkon ndërprerje të menjëhershme të konfliktit në Ir...
Haradinaj uron 7 Marsin: Mësuesit janë shtylla e edukimit dh...
Zëdhënësi i Qeverisë: VV e kandidoi Konjufcën në fund të afa...
Vedat Muriqi rikthehet te goli, shënon në udhëtim te Osasuna
Shoqata për Kërkim dhe Shpëtim nis operacion në Bjeshkët e S...