Vllasi tregon arsyen pse SHBA-ja nuk duhet të përfshihet në dialogun e Brukselit

20:34 | 10 Tetor 2017
M. A.

Presidenti i vendit Hashim Thaçi gjatë vizitës së tij të fundit në SHBA ka kërkuar që në dialogun Kosovë-Serbi të përfshihet edhe SHBA.

Mirëpo, kjo çështje nuk po shihet si një ide e mirë, pasi dialogu mund të komplikohet dhe më shumë.

Në një prononcim për Indeksonline, njohësi i çështjeve diplomatike, Azem Vllasi ka thënë se nëse Kosova do të kërkonte përfshirjen e SHBA, atëherë edhe Serbia do kërkojë përfshirjen e Rusisë.

Për këtë çështje, sipas tij, nuk është ide e mirë që të kërkohet drejtpërdrejt përfshirja e SHBA-së në dialogun e Brukselit.

“Faktorët ndërkombëtarë, amerikanët vazhdimisht e kanë përkrahur dialogun në Bruksel dhe do ta përkrahin, por ne nuk kemi nevojë të kërkojmë pyetjen e drejtpërdrejt për marrjen e amerikanëve në Bruksel, sepse serbët do të kërkojnë që të kyçen edhe Rusia dhe atëherë çështja do të komplikohet edhe më shumë”, ka thënë Vllasi.

Ndërsa, sipas tij, tani Kosova ka arritur në dialogun me Serbinë deri në një pikë ku duhet t’i shihet fundi, duke treguar se cilat janë tre çështjet kryesore të mbetura deri në fund.

“E para, biseda në Bruksel të shtrohet që Serbia ta heq Kosovën nga kushtetuta e vet sepse derisa të figurojë në kushtetutë të Serbisë, Kosova sikurse edhe Vojvodina s’do të ketë normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, sepse Serbia e konsideron Kosovën si pjesë të vetën. E dyta, nga Serbia të kërkohet që mos ta pengojë Kosovën në procedurat e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare. E treta duhet të caktohet një afat kur Serbia dhe Kosova duhet ta njohin njëra-tjetrën dhe si shtete t’i vendosin marrëdhëniet diplomatike”, ka shtuar ai.

Ndërsa, për këto çështje, ai thotë se nuk duhet asnjë ekip i unitetit, apo përgatitje të mëdha, pasi Brukseli nuk ka si t’i refuzojë kërkesat e Kosovës.

Sipas tij, Kosova nuk duhet të dal jashtë pakos së Ahtisarit dhe nuk duhet të lejojë marrëveshje të reja, pasi ato do të ishin në dëm të stabilitetit të brendshëm dhe në dëm të forcimit të shtetit të Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme