Në kuadër të “Ditëve të Biznesit”, sot u mbajt konferenca informuese me bizneset e rajonit të Ferizajt, organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt.
Në një njoftim për media, bëhet e ditur se në konferencë morën pjesë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ministri i Financave, Avdullah Hoti, ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, drejtori i KIESA-s Besian Mustafa, përfaqësues nga ATK, Dogana e Kosovës, përfaqësues të institucioneve lokale si dhe përfaqësues të bizneseve nga rajoni i Ferizajt.
“Bizneset në këtë konferencë u informuan hollësisht rreth shërbimeve që ofrojnë institucionet qeveritare sa i përket zhvillimit të ndërmarrësisë dhe krijimit të kushteve më të mira për të bërit biznes”, thuhet në njoftim.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, në fjalën e saj, foli për angazhimet e Qeverisë së Kosovës për të zhvilluar dhe fuqizuar më tej sektorin privat në Kosovë.
Ajo potencoi të arriturat e deritanishme dhe foli për hapat konkret që janë ndërmarrë për të institucionalizuar dialogun publiko-privat.
“Eliminimi i barrierave tregtare, politikat fiskale, formimi i grupeve punuese për çështje të biznesit, certifikimi i produkteve, janë disa nga aktivitetet e ndërmarra për përmirësimin e ambientit të bërit biznes në Kosovë”, tha ministrja Bajrami.
Ajo ritheksoi se qëllimi i pjesëmarrjes në këto konferenca, të cilat janë duke u organizuar në të gjitha rajonet e Kosovës, është informimi dhe bashkëbisedimi me bizneset për t’i dëgjuar sfidat me të cilat ballafaqohen ato.
Mes tjerash, ministrja Bajrami i informoi përfaqësuesit e bizneseve edhe për rëndësinë e Fondit për Garantimin e Kredive i cili është themeluar, e që do të lehtësojë qasjen në financa të bizneseve të vogla dhe të mesme duke u krijuar atyre mundësi që të konsolidohen dhe të shtojnë veprimtarinë e tyre afariste si dhe të rrisin numrin e të punësuarve.
Në fund të konferencës u shpallën edhe ndërmarrjet më konkurruese në rajonin e Ferizajt:
Top Ndërmarrja e Mesme më Konkurrente e vitit u shpall kompania “KIVO”L.L.C;
Top Ndërmarrja e Vogël më Konkurrente e vitit u shpall “B.B.F – COMPANY” SH.P.K;
Top Mikrondërmarrja më Konkurrente e vitit u shpall ndërmarrja N.P.T. “ANB-BALIU”;
Pas konferencës ministrja Bajrami bashkë me delegacionin pjesëmarrës vizituan kompanitë: “NTP Cadi Komerc”, “NPT Rolleo”, ku u njohën për së afërmi me aktivitetin e tyre.
Mblidhen sot tri komisione parlamentare
Përurohet transformimi i Klinikës së Kardiologjisë, marrinë ...
JD Vance konfirmohet se nuk do të udhëtojë drejt Pakistanit ...
Moti sot me diell, vranësira dhe riga shiu
Si ta ndihmoni trupin tuaj të detoksifikohet vetë nga vetja
Rrebeshe shiu, parashikimi i motit për nesër