AAK dhe NISMA nuk do të hedhin gaz lotsjellës në Kuvend

11:33 | 13 Korrik 2016
M. A.

Shefat e grupeve parlamentare të boshtit opozitar AAK dhe Nisma kanë mbajtur konferencë lidhur me çështjen e Demarkacionit.

Në këtë konferencë Pal Lekaj tha se i ftojmë të gjithë deputetët që ti thonë jo Demarkacionit, jo ratifikimit të Marrëveshjes me Malin e Zi.

“Nëse ne si deputetë marrim barrën e komisionit opozitar dhe qeverisë në përgjithësi mendojmë të ratifikojmë marrëveshjen, do të jetë e dëmshme për institucionet, për të gjitha gjeneratat dhe ata do të na mallkojnë për besimin që na e kanë dhënë sepse jemi të thirrur të mbrojmë territorin, sovranitetin e republikës së Kosovës”, tha ai, shkruan Arbresh.info

Sipas tij, çdo mendim tjetër i deputetëve rreshtohet në anën tjetër.

“Ne jemi në parlament për qytetarët e nuk jemi që të ratifikojmë marrëveshje që janë në kundërshtim me interesat e vendit. Ne qëndrojmë në këtë dhe ftojmë deputetët ta kthejnë mendjen ka interesi i vendit. Ne si bosht opozitar AAK-NISMË nuk kemi harruar as Asociacionin e Komunave Serbe sepse edhe ajo është marrëveshje e dëmshme. Nuk duhet të ngutemi në vendimet kur janë për shtetin dhe qytetarët”, tha ai.

Pal Lekaj

Në anën tjetër Valdete Bajrami tha se i bën ftesë te gjithë deputetëve pavarësisht partive që të mos e japin votën pro në lidhje me demarkacionin.

“Nuk guxojmë të vëmë interesat personale partiake para interesave shtetërorë. Qeveria me ngulim dëshiron ta bëjë këtë duke anashkaluar opozitën por ne si koalicion nuk do ta lejojmë këtë sepse kemi ekspert që thonë se toka jone po i falet shtetit fqinj. I ftoj deputetët të shkojnë ta shohin vetë e jo në letra sepse toka jonë po falet”, tha ajo.

Valdete Bajrami

E Lekaj mes tjerash tha se: Do t’i përgjigjemi ftesës së një debati ku do të jetë edhe komisioni prezent por po e shihni se zoti Meha më të rëndësishëm e ka pushimin sesa këtë. Ne jemi të vendosur që çdo iniciativë që e mbrinj territorin e Kosovës do ta përkrahim por në të kundërtën do të protestojmë dhe do ti marrim të gjitha veprimet. Ndërsa sa i përket gazit lotsjellës ne kemi thënë se ka qenë një mjet jo i duhur kemi bërë edhe protesta ku janë sensibilizuar qytetarët. Në këtë rast nuk do të përdorim gaz por veprime tjera për të cilat do t’iu informojnë”.

Ai po ashtu tha se nuk do të kthehen në Kuvend vetëm në qoftëse kthehet marrëveshja ndërsa i pyetur nëse humbin mandatin ai tha se për këtë vendosin organet e partisë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale