Autobusi vetëm për serbët e Novobërdës, jo për shqiptarët

13:05 | 3 Korrik 2016
M. A.

Nga Komuna e Novobërdës e deri në rrugën kryesore, në magjistralen Gjilan-Prishtinë, qytetarëve iu duhet të bëjnë 13 kilometra në këmbë, pasi që tash e tre muaj në këtë komunë nuk ka autobusë.

Dihet që në Komunën Novobërdës, veç banorëve shqiptarë ka edhe banorë serbë e romë, por fatin e njëjtë sikur romët e shqiptarët që të bëjnë në këmbë 13 kilometra rrugë, e që shpeshherë presin edhe mëshirën e atyre që udhëtojnë me veturë, nuk po e kanë edhe komuniteti serbë, pasi që ekziston autobusi për këtë komunitet, thonë burime të KosovaPress.

Banorët e Komunës së Novobërdës të cilët nuk deshën që të prononcohen para kamerave i kanë thënë KosovaPress, se autobusi po ekziston për serbët, por jo edhe për shqiptarët e romët.

Megjithatë, një transport ekzistues për komunitetin pakicë, serbët, e ka mohuar për KosovaPress kryetari i kësaj komune, Svetisllav Ivanoviq.

Në zyrën e kryetarit, Svetisllav Ivanoviq u pa Sanije Jashari, banore e fshatit Boston nga Komuna e Novobërdës, e cila kishte shkuar që të kërkojë nga kryetari t’i bëhet një zgjidhje për transport.

Por kontakti me kryetarin për Sanijen qe i pa mundur. Kështu i tha KosovaPress-it, Sanije Jashari pasi doli nga zyra e kryetarit.

Ajo tha se jeta në këtë komunë për banorët po shndërrohet në burg.

“Ju kisha bo apel me shku te kryetari edhe te kryetari Bajrushi te të tjerët që janë, me na lëshu një autobus se jemi të izoluar, sikur me qenë në burg. Autobus nuk kemi, nuk kemi me çka me marrë socialin, e as me ble asgjë, as ilaçe, as te mjeku, e asgjë…Unë isha te kryetari, ka mbledhje, nuk kam rend me hy brenda. Jemi që një vit pa autobus, kurrë kështu nuk ka qenë, prej që e mbaj mend unë, çka duan të na bëjnë në këtë Novobërdë pa autobusë, pa barna, pa mjekë, katastrof’, tha Sanija.

Shpërndaje në rrjete sociale