VV: Qeveria të parandalojë projektin e Serbisë në veri të Kosovës

16:42 | 12 Qershor 2016
M. A.

Lëvizja Vetëvendosje konsideron se Qeveria e Kosovës duhet të marrë masa për parandalimin e projektit të Serbisë, që po synon ndërtimin 300 shtëpive për serbët në veri Kosovës. Sipas LVV-së, qeveritarët po japin vetëm deklarata publike, ndërkohë që qasjen ndaj këtij problem e kanë jashtëzakonisht të dëmshme.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri konsideron se projekti për ndërtimin e 300 shtëpive në veri, shpërfaqë mënyrën se si do të funksiononte Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

“Mënyra se si i është qasur këtij problem, Qeveria e Republikës së Kosovës, është jashtëzakonisht e dëmshme sepse krejt çka kanë bërë deri tash zyrtarët qeveritarë, është të japin deklarata në publik dhe ta vlerësojnë situatën sikur të jenë ata një organizatë qeveritare. Qeveria e Republikës së Kosovës, nëse vërtetë është qeveri, do duhej të merrte masa parandalimi të këtij projekti të Serbisë, e jo të mjaftojë me deklarata. Në anën tjetër, konsideroj se kjo është shpërfaqë në një aspekt jashtëzakonisht të ngushtë, por tejet domethënës, në mënyrën se si do të funksiononte ‘Zajednica’ e komunave me shumicë serbe, për ta instaluar atë”, tha ai.

Ymeri tha se një projekt i tillë synon të ndryshojë në mënyrë demografike përbërjen e popullsisë në atë pjesë, që sipas tij, në këtë mënyrë Serbia synon të kthejë aty serbët e zhvendosur.

Ai tha se një projekt i tillë nuk duhet lejuar të implementohet dhe se nuk duhet lejuar ndërhyrje të tilla në Republikën e Kosovës. Derisa për marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, tha se është marrëveshje e vdekur.

“Ne konsiderojmë se ajo marrëveshje është e vdekur, dhe si e tillë ajo nuk është ringjallshme. Ka një interes shpesh herë të pashpjegueshëm , veçanërisht të Hashim Thaçit e Isa Mustafës e Kadri Veselit, të shprehur në disa raste që ta dëmtojnë Republikën e Kosovë s, për interesa të Serbisë dhe këtu, interesin e tyre personal vështirë se e kuptoj, përveç që të mbetën në mënyrë që t’I shpëtojnë përndjekjes penale, nukmund ta shpjegoj ndryshe”, thotë ai.

Sipas Ymerit, Republika e Kosovës asnjëherë nuk do të jetë “pre e kusuritjës për interesa personale të politikanëve të korruptuar që e kanë zaptuar shtetin”.

Ndërsa, kur u pyet për vazhdimin e mandatit të EULEX-it në Kosovë, Ymeri tha se ai mision ka qenë një eksperiment i cili ka dështuar.

“Pas tetë viteve të ekzistencës së EULEX-it në Kosovë, atë që e thoshte Lëvizja Vetëvendosje në vitin 2008, po del të jetë e vërtetë. Po e pranojnë edhe pjesëtarët e EULEX-it, pra që ka qenë një eksperiment i cili ka dështuar në mënyrë të dëm shme për Kosovën. … Me apo pa dashje, misioni i BE-së, EULEX-i po e ndihmon këtë kapje të shtetit. Republika e Kosovës nuk mund të vazhdojë kështu tutje, sepse kjo çdoherë e më shumë po shndërron Republikën e Kosovës në një republikë të elitave të korruptuara politike e jo në një Republikë të qytetarëve që do duhej të kishte përfaqësimin e vet në Parlamentin e Republikës”, tha ai.

Sipas tij, nuk mund të prodhohet një sistem i mirëfilltë drejtësie i cili u garanton qytetarëve të barazi dhe drejtësi, nëse ky sistem nuk buron brenda vet shtetit.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje tha se do të vazhdojnë me kundërshtimin për marrëveshjet, derisa pranoi se aktualisht nuk po takohen me dy partitë tjera në opozitë, me të cilat u bënë bashkë për të kundërshtuar qeverisjen aktuale dhe dy marrëveshjet që ajo nënshkroi. Por ai tha se LVV është e interesuar të gjejë komunikim dhe bashkëp unim me dy partitë tjera opozitare, lidhur me kundërshtimin e marrëveshjeve.

Shpërndaje në rrjete sociale