Bahtiri: AKR do ta udhëheqë Qeverinë e ardhshme

18:01 | 25 Maj 2016
M. A.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili vjen nga radhët e Aleancës Kosova e Re, ka mohuar zërat se do ta braktisë partinë e Behgjet Pacollit, për t’iu bashkuar PDK-së. Ai ka thënë se AKR do të jetë udhëheqëse e Qeverisë së ardhshme të Kosovës dhe se partitë tjera do të duan të vijnë tek ai, pra, në AKR.

“Është lajm i pavërtetë. Asnjëherë që prej ardhjes sime si kryetar i komunës, asnjë zyrtar i PDK-së nuk ka qëndruar në shtëpinë time”, ka thënë Bahtiri, për Gazetën Blic.

Ai ka thënë se nuk ka kurrfarë marrëveshje me PDK-në dhe në asnjë mënyrë nuk do të kalojë në partinë e drejtuar nga Kadri Veseli.

“Unë çdo ditë po themeloj nëndegë të AKR-së në Mitrovicë, ku do të jemi numër 1 në mënyrë të pakontestueshme. Njëkohësisht ju bëj të ditur se jam koordinator për 10 komuna i AKR-së për mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme që i kemi shpallur javë më parë dhe po ju garantoj që AKR do të jetë udhëheqëse e Qeverisë së ardhshme të Kosovës dhe se partitë tjera do të duan të vijnë tek unë në AKR, e jo unë tek ata”, ka thënë.

Ndryshe, AKR-së i kanë ikur disa personalitete shumë të rëndësishme si zëvendëskryetarja Mimoza Kusari- Lila, nënkryetari Ibrahim Makolli, e shumë personalitete tjera.

Shpërndaje në rrjete sociale