Mbi 7 mijë të diplomuar, në lista të punëkërkuesve

15:56 | 23 Maj 2016
M. A.

Kadime Berisha nga Prishtina, çdo ditë zgjohet me shpresë së një ditë do të gjejë një vend pune. Tashmë tri vjet ajo i ka përfunduar studimet për gazetari, por që nuk ka arritur të gjejë një punë. Ajo mbetet optimiste se një ditë do t’i zbardhë fati. Çdo mëngjes shikon gazetat, si dhe përcjell konkurset në internet nëse do të këtë vend të lirë.

“Çdo ditë zgjohem me shpresë së do të gjej një vend të punës. Kam diplomuar qe tre vite në Universitetin e Prishtinës por që nuk kam një vend pune. Unë gjatë gjithë tri vjetëve nuk jam ndalur së kërkuari punë. Përcjell konkurset, ku shumë herë edhe kam aplikuar, po nuk kam arritur të punësohem, madje as që jam thirrur në intervistë. Shikoj në internet konkurset nëpër gazeta, por e kotë” ka rrëfyer ajo për ‘Zerin’

Sipas saj, do të vijë koha që do të kërkohen kuadro. “Në të ardhëm, mbetet që institucionet të punojnë më shumë që të hapin vende të reja të punës dhe shpresoj se do të thyhet ajo tabuja që të punësohen vetëm familjarët. Besoj se një ditë do të vijë koha, kur edhe ne do të mundnim të shpalosim dituritë dhe të kërkohen kuadrot për punë” ka thënë ajo.

Rrëfime të tilla si të Kadimes sigurisht që ka me mijëra.

Ndërkaq sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenie Sociale, aktualisht punëkërkues të regjistruar me përgatitje universitare janë 6 mijë e 752 punëkërkues, prej tyre 3 mijë e 938 janë femra.

Vetëm deri në prill të këtij viti janë regjistruar 555 punëkërkues, prej tyre 204 femra.

Zyrtar për informim në MPMS, thonë se këto të dhëna janë marrë, duke u bazuar në informatën e tregut të punës gjatë muajit qershor.

Ndërkaq që analistët ekonomik thonë se numri i punëkërkuesve është tejet shqetësues për ekonominë e vendit. Ata vlerësojnë se ky numër i punëkërkuesve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk qëndron real.

Shpërndaje në rrjete sociale